E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha harron Glover, takon Grossruck

Qeveria shqiptare anashkalon shefen e misionit të ODIHR-it, Audrey Glover, dhe përforcon aleancat me zv/presidentin e OSBE-së, Wolfgang Grossruck. Kryeministri Sali Berisha u takua dje me

delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga zëvendëspresidenti i saj, Grossruck. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin në fokusin e këtij takimi në selinë e Kryeministrisë. Ndonëse bëhet një muaj që nga koha kur Audrey Glover erdhi në Shqipëri, ende nuk i është uruar mirëseardhja nga Kryeministri Berisha. "Dubluesi" i shefes së misionit të ODIHR-it, Wolfgang Grossruck në pozicionin e koordinatorit të posaçëm për zgjedhjet në Shqipëri theksoi se kartat e identitetit shmangin abuzimet me zgjedhjet. Ai siguroi për objektivitetin e misionit vëzhgues. Gjithashtu, nga ana e delegacionit u vlerësua lart puna me modernizimin e gjendjes civile, listat e zgjedhësve, si dhe dokumentet e identifikimit, si mjete që parandalojnë mundësitë për abuzim në zgjedhje. Grossruck, është emëruar nga Kryetarja në detyrë e OSBE-së, ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, si koordinator i posaçëm i misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ai e ka informuar Kryeministrin Berisha se ai do të udhëheqë vëzhguesit afatshkurtër të OSBE-së dhe se do të koordinojë deklaratën paraprake për llogari të OSBE-së, që do të bëhet më 29 qershor.

Kryeministri siguroi delegacionin se qeveria po bën çdo përpjekje për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryeministri Berisha e informoi delegacionin në lidhje me arritjet në reformimin dhe modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në faktin se për herë të parë Shqipëria ka një sistem zgjedhor, Kod Zgjedhor dhe Komision Qendror të Zgjedhjeve të miratuar me konsensus të plotë midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Kryeministri theksoi gjithashtu se reforma dhe modernizimi i plotë i gjendjes civile, i kryer në bashkëpunim me OSBE-në dhe qeverinë austriake, siguron për herë të parë lista zgjedhësish të saktësisë më të lartë, duke mbyllur kapitullin e turpshëm të listave të zgjedhjeve të viteve 2000-2003, ndërsa projekti i pajisjes me letërnjoftime elektronike, siguron dokumentin e cilësisë më të mirë europiane për identifikimin e zgjedhësve shqiptarë. Në lidhje me pajisjen e shtetasve me letërnjoftime elektronike, Kryeministri theksoi punën shumë të mirë të kryer nga kompania koncesionare dhe informoi të pranishmit se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar dhe garanton plotësisht pajisjen me letërnjoftim për të gjithë shtetasit pa pasaporta që do të aplikojnë në afat, duke zbatuar edhe një skemë të gjerë kompensimi paraprak të miratuar me konsensus me opozitën. Lidhur me përplasjen qeveri-opozitë për kartat e identitetit, Kryeministri Berisha u shpreh se "Partia Socialiste është përpjekur pa sukses të shkurajojë procesin e aplikimit me qëllim prishjen e tij dhe se ajo nuk ka bërë asnjë thirrje publike në mbështetje të këtij procesi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›