E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: është koha për të larguar Sali Berishën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidati për deputet në Qarkun e Tiranës, Roland Çelmeta, zhvilloi dje një takim me komunitetin e Komunës Farkë. Gjatë këtij takim, Meta prezantoi Planin për Veprim të LSI-së. Kreu i LSI shprehu bindjen e tij se kandidatët e LSI-së do të jenë fitues, sepse përfaqësojnë vlerat më të mira dhe janë të lidhur ngushtë me komunitetin e kësaj zone. Meta u shpreh se Koha për Veprim, për Sali Berishën është Koha për Largim. "Ka ardhur Koha për Veprim, tha Meta, për të nxjerrë shqiptarët nga kriza dhe nga varfëria, ku ti i fute akoma më thellë, për të nxjerrë Shqipërinë nga korrupsioni dhe Gërdec-qeverisja që ti solle gjatë këtyre 4 viteve, dhe për të zhvilluar ekonominë". Drejtuesi i LSI-së theksoi se Plani për Veprim synon të ofrojë perspektiva të reja për të gjithë shqiptarët, një dinamikë krejt ndryshe nga ajo aktualja për ndryshimin e vendit, e cila nuk mund të vijë përmes fjalëve, deklaratave, përmes fjalimeve, por vetëm përmes Kohës për Veprim. "Ndaj dhe Plani ynë për Veprim fillon pikërisht me punësimin dhe jo më kot ne e theksojmë çështjen e punësimit si çështjen themelore që ka sot vendi, që kanë sot shqiptarët dhe mbi të cilën do të ndërtohen të gjitha politikat shtetërore, qeverisëse, fiskale dhe arsimore", shtoi Meta, duke theksuar ndërkohë se shqiptarët do të kenë mirëqenie vetëm duke u bazuar te puna dhe te djersa e tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi rritje të prodhimit, do të kemi edhe rritje të ekonomisë dhe produkteve tona. "Programi i LSI-së synon krijimin e një sistemi të plotë agraro-industrial, i cili do të bëjë të mundur që çdo gjë të funksionojë në mënyrë perfekte, që mos të ketë asnjë pengesë, asnjë ndërprerje, pasi ne do të subvencionojmë nga 25-50 të imputeve në bujqësi, do të subvencionojmë prodhimin deri në masën 30 për qind e njëkohësisht do të garantojmë krijimin e një industrie agropërpunuese, që është një problem i madh sot në vend, kur këto prodhime do të grumbullohen, por edhe do të përpunohen", tha ai. Ndërsa kandidati për deputet, Roland Çelmeta, duke besuar dhe shprehur optimizmin e tij për fitoren e LSI-së, u shpreh se "vota për LSI-në është votë për Shqipërinë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›