Rama: Paga minimale për minatorët, 12 mijë lekë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi se me ardhjen në pushtet të kësaj partie do të firmoset statusi i minatorit. Gjatë turit të prezantimit të kandidatëve për deputetë dhe programit qeverisës, ai është ndalur në një takim me ish-minatorë të Gurit të Kuq, në Pogradec. Rama tha se politika e qeverisë në këta 4 vjet e ka refuzuar këtë kërkesë legjitime dhe premtoi se ajo do të plotësohet në 100 ditët e para të qeverisjes së socialistëve. Sa i përket moshës së pensionit, një çështje mjaft e debatuar në këtë kategori, Rama tha se ka një angazhim serioz të socialistëve për zgjidhjen e këtij problemi. Ai premtoi se pensioni minimal për këtë kategori do të jetë 12.000 lekë të reja. "Për kategorinë e atyre që nuk punojnë dhe që nuk kanë arritur moshën e pensionit, premtojmë se pensioni minimal do të nisë nga 12 mijë lekë të reja", u shpreh Rama. Nisur nga kushtet e vështira të punës së minatorëve, kryetari i PS, Edi Rama, shprehu keqardhje për jetëgjatësinë e tyre, ndërsa tha se që ata të gëzojnë pensionin, do të ulë moshën e daljes në pension për ata në 59 vjeç. Rama preku dhe çështjen e pensioneve për fëmijët e minatorëve, si dhe vendosjen e rregullave në kushtet e punës nga koncesionarët. Pas takimit që Rama pati dy ditë më parë në qytetin e Krujës, kreu i PS-së u ndal në një takim në Qarkun e Lezhës, duke prezantuar kandidatët e Partisë Socialiste. Turet elektorale janë kthyer një fenomen shkëmbim replikash në distancë mes krerëve të dy partive politike, ndërsa të dyja palët vijojnë të prezantojnë programet e tyre.