E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha harron turin e dialogut me shqiptarët

Kriza politike dhe axhenda diplomatike e lënë pas dore E prezantoi pak javë më parë zyrtarisht

Kryeministri Sali Berisha ka ndalur turin e ndërmarrë në Shqipëri në fillim të këtij viti. Bashkëbisedimi për të cilin kreu i qeverisë përdorte moton “Shqipëria po vrapon”, duket se ka ndalur hovin fillestar. Në ndërprerjen e takimeve të shpeshta të Kryeministrit Berisha me banorët e zonave të ndryshme të vendit dhe përurimet e bëra prej tij, ka ndikuar situata politike në vend dhe axhenda e ngjeshur ndërkombëtare. Marrja e vendimit të opozitës për vijimin e protestave duket se ka kthyer vëmendjen e kreut të qeverisë më tepër te problemet e brendshme politike të vendit, sesa ato infrastrukturore dhe takimet me qytetarët.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë po ndjek nga afër procese të rëndësishme integruese të vendit, siç është përfundimi dhe dorëzimi i pyetësorit të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe plotësimi i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Po kështu të shumta kanë qenë edhe pjesëmarrjet e Berishës në forume të ndryshme europiane, por nuk kanë munguar dhe vizitat disaditore në vende të rëndësishme për investimet siç ishte ajo në Kuvajt. Takimi i fundit i Kryeministrit në turin e nisur prej tij, ishte në mesin e muajit mars, ku përuroi fillimin e punimeve për rrugën Qendër e Komunës Prezë-rruga nacionale, si dhe zhvilloi takime me banorët e zonës. Nisja e këtij turi në fillim të vitit duket se përkon edhe me çeljen jozyrtare të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike, për zgjedhjet lokale të cilat do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Kjo sepse edhe në rastin e zgjedhjeve të kaluara në vend, kreu i qeverisë e nisi turin “Shqipëria po ndryshon”, një vit para mbajtjes së tyre. Gjatë kësaj kohe, kreu i qeverisë vizitoi pothuajse çdo zonë të vendit, të cilat u shoqëruan me përurimin e veprave të shumta infrastrukturore, të financuara me fondet e buxhetit të shtetit, por edhe me ndihmë të donatorëve dhe institucioneve të rëndësishme financiare.

Në turin e kaluar, të nisur në mesin e vitit 2008, Kryeministri zhvilloi idenë se Shqipëria po merrte një fytyrë të re si pasojë e zhvillimit të infrastrukturës që kishte ndodhur në zonat e të gjithë vendit, gjatë kohës së qeverisjes së tij. Në mënyrë të herëpashershme, kreu i qeverisë ka theksuar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, duhet të përkojë edhe me ndryshimin rrënjësor të infrastrukturës së vendit, për ta bërë vendin e denjë për të qenë pjesë e vendeve të tjera të rëndësishme europiane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›