E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha heq nga fjalimet akuzat për Ramën

30/05/2009  Kryetari i PD-së fushatë në Korçë me arritjet e qeverisë

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje disa takime elektorale në disa komuna të Qarku të Korçës dhe përkatësisht në Belorta, Plasë, Çërravë dhe Kamenicë. Ajo çka ra në sy përgjatë takimeve të djeshme elektorale ishte krahasimi që ai i bëri punës së qeverisë së tij me atë të qeverisjes socialiste, duke shmangur emrin e Edi Ramës. Vetëm një ditë pas çeljes së fushatës nga ana e socialistëve Berisha në Korçë ka shmangur çdo akuzë, duke u marrë vetëm me atë çka ka arritur gjatë katër vjetve. Në komunën e Bulgarecit ai theksoi se “në këtë komunë janë investuar 282,5 milionë lekë kundrejt 43,4 milionë lekë investime të qeverisjes socialiste, ose rreth 7 herë më shumë”. Me të njëjtën filozofi është prezantuar dhe në komunat e tjera. “Këtu ne inauguruam një rrugë, në këtë komunë ne kemi investuar 7 herë më shumë sesa në tetë vjetët e qeverisjes socialiste. Këto janë realitete që i shohim, por të tjera shumë më të mëdha na duhen. Ajo që kemi shpallur se do të kemi Belortanë, Plasën, Korçën evropiane, ju garantoj se nuk ka premtim më ambicioz dhe më të vështirë, por 100 për qind të realizueshëm. Për këtë arsye ju ftoj të vazhdojmë së bashku, se unë dhe bashkëpunëtorët e mi tani e tutje nuk ju premtojmë se do të asfaltojmë këtë apo atë rrugë. Premtimi ynë solemn është se do të asfaltojmë çdo pëllëmbë rrugë tuajën. Premtimin tonë ne e bazojmë në ato që kemi arritur. Ne kemi asfaltuar 6000 km rrugë. Tani nuk ka forcë në botë që na ndal pa veshur çdo rrugë të këtij vendi me asfalt. Ne vijmë këtu për t’u zotuar se do të pesëfishojmë grantin për prodhimet tuaja dhe se do të bëjmë çdo gjë për rritjen maksimale të prodhimit. Ku e bazojmë ne këtë? Në këta katër vjet ne kemi dyfishuar mbjelljen e drurëve frutorë, sepse katërfishuam grantin. Në këta katër vjet ne kemi shumëfishuar kapacitetet ftohëse për prodhimet tuaja, sepse kemi shumëfishuar kredinë dhe grantin. Mbetet që ne t’u përgjigjemi ju për të gjitha potencialet tuaja prodhuese. Ju punën, ne mbështetjen. Këta katër vjet ne ndërtuam dhe rindërtuam 1012 shkolla në mbarë vendin, ne nuk premtojmë më këtë apo atë shkollë, por premtojmë që në katër vjet të ndërtojmë apo rindërtojmë çdo shkollë të këtij vendi. Ju me punën tuaj keni derdhur lumenj djerse që ne të jemi në Evropë dhe ne bashkërisht do të ndërtojmë këtu në Belorta, në Korçë të gjitha standardet evropiane. Këtu unë shoh burra dhe gra të moshuara. Ne u premtuam atyre se do të dyfishonim pensionet, ndërkohë që jo të paktë ishin skeptikët, që nuk besonin se do ta realizonim këtë premtim. Sot ne këtë premtim e kemi realitet”, - është shprehur Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›