Berisha homazhe te Rugova
Kryeministri Berisha bëri homazhe në varrin e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe vizitoi familjen e tij. Kreu i qeverisë vlerësoi Rugovën si një burrë shteti unik në historinë e kombit shqiptar. “Në shpirtin e tij qendrestar, mençurinë, intelektualizmin, vendosmërinë, Presidenti Rugova lartësoi çdo ditë të veprimtarisë së tij çështjen e drejtë të shqiptarëve në Kosovë. Pas lufte udhëhoqi Kosovën gjer në prag të pavarësisë, duke u shndërruar në shtyllën kryesore të besimit të shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën e lirë, të pavarur dhe multietnike. Ibrahim Rugova ka frymëzuar dhe do të frymëzojë shqiptarët në të gjithë përpjekjet e tyre për zhvillimin, integrimin dhe të ardhmen që meritojnë”, tha Berisha.