E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga pronarit të pallatit 10-katësh, falsifikoi lejen

 

ETLEVA DELIA

Një biznesmen ndër-timi në Tiranë dhe një inxhinier duhet të qëndrojnë në arrest shtëpie me akuzat e "falsifikimit të dokumenteve" dhe "mashtrimit me pasoja të rënda". Pëllumb Çelës, ndërtues i shoqërisë "ÇELA X", i duhet të japë edhe 25 milionë lekë të vjetra si garanci pasurore në gjykatë. Sektori i Antikrimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit, zbuluan pas 3 muaj hetimesh mashtrimin që biznesmeni Çela dhe inxhinieri i ndërtimit, Leonard Gjergji, kishin kryer në bashkëpunim, duke falsifikuar aktin e kolaudimin për të ndërtuar një pallat 10-katësh. Pasi provuan dhe dokumentuan abuzimet që kishin kryer, oficerët e policisë dhe Prokuroria kërkuan masën e arrestit. Gjykata e Tiranës vendosi më 30 shtator masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për 57-vjeçarin Leonard Gjergji dhe masën e sigurimit personal me "garanci pasurore", në shumën 25 milionë lekë të vjetra për 56-vjeçarin Pëllumb Çela. Sipas provave të administruara nga hetimi, ka rezultuar se ndërtuesi në bashkëpunim me inxhinierin kanë falsifikuar për qëllime përfitimi, Aktin e Kolaudimit, për sigurinë teknike, për të ndërtuar pallatin Nr.31 në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranë. Policia sqaroi se ky pallat përbëhet nga 10 kate dhe nuk ka siguri në rast fatkeqësish natyrore, pasi në momentin kur është marrë leja e ndërtimit nga biznesmeni Çela, ishin përllogaritur vetëm 5 kate.
OPERACIONI
Pasi kanë siguruar provat kryesore për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve" dhe "mashtrimit me pasoja të rënda", të kryera në bashkëpunim për ndërtuesin Pëllumb Çela dhe inxhinierin Leonard Gjergji, oficerët e policisë i janë drejtuar gjykatës. Operacioni i koduar "Kulla", më 30 shtator i ka paraqitur Gjykatës së Tiranës dosjen penale në ngarkim të administratorit të shoqërisë "ÇELA X" Sh.p.k dhe inxhinierit të ndërtimit. Pasi janë caktuar masat e sigurimit "arrest shtëpie" për inxhinierin dhe masa e sigurimit personal "garanci pasurore" për ndërtuesin, dje policia ka ekzekutuar vendimin e gjykatës. Burime nga policia sqaruan se vendimet u ekzekutuan për inxhinierin në banesën e tij, ndërsa për ndërtuesin në zyrën e punës të shoqërisë "ÇELA X", që ndodhet në pallatin nr.1 pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Të akuzuar

1. Pëllumb Çela, 56 vjeç, inxhinier ndërtimi, administrator i shoqërisë së ndërtimit "ÇELA X" në Tiranë

2. Leonard Gjergji, 57 vjeç, inxhinier ndërtimi i shoqërisë "ÇELA X"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›