Rama: PS bojkot zgjedhjeve të pjesshme lokale
Kryesocialisti Edi Rama, në një intervistë dje për “News 24” ka paralajmëruar Kryeministrin Berisha të mos prekë kutitë e votimit në prag të fushatës së pjesshme, që pritet të mbahet më 15 nëntor për zonat ku janë larguar krerët vendorë, pasi janë zgjedhur deputetë, ndërsa ka bërë të ditur se PS është drejt rrugës së bojkotit për këto zgjedhje. Rama gjithashtu i ka bërë thirrje sot Presidentit të reagojë për letrën dhe dëshmitë që PS i ka dërguar rreth lirimit të të burgosurve në kohë fushate elektorale.
Zoti Rama ju sapo e sqaruat, por më lejoni të jem më direkte, ku ishte Partia Socialiste, komisionerët e saj, ditën kur sipas jush vidheshin votat e së majtës?
Edhe një herë, se këtu ka një keqkuptim të madh. Kur ne kemi premtuar mbrojtjen e çdo vote, nuk kemi pasur parasysh marrjen e pushkëve për të mbrojtur votat. Kemi pasur parasysh ligjin dhe vetëm ligjin dhe garancinë e vendosur në ligj dhe të votuar me një shumicë, si asnjëherë më parë me votën që u dha për Kodin Zgjedhor, ku thuhet e zeza mbi të bardhë se çdo kuti e kontestuar me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së hapet. Dhe hapja e kutive është garanci fundore për çdo votë që mund të preket, për çdo votë që mund të tjetërsohet, për çdo rezultat që mund të deformonte, për çdo procesverbal të falsifikuar e kështu me radhë. Njëkohësisht është edhe hapja e një kapitulli të ri, ku asnjë komisioner i çfarëdo force qoftë, nuk mund të guxojë më që të hedhë një firmë falso, para se të hedhë një firmë të tijën, duke falsifikuar rezultatin e votimit.
Vetëm dje, ka qenë deklarata e fundit e Presidentit Topi lidhur me reformat, ndërkohë që nga ana tjetër edhe Kryeministri Berisha fajëson opozitën se po pengon reformat me bojkotin e saj, konkretisht reformën në drejtësi, duke u nisur edhe nga deklaratat e fundit të ndërkombëtarëve?
Kryeministri Berisha është në fakt pengesa e të gjitha atyre gjërave që shqiptarët, me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën që u jep vetë përpjekja e tyre e përditshme që kërkojnë t’i realizojnë dhe nuk i realizojnë dot, jo për shkak se janë të paaftë për të jetuar në një vend të lirë e demokratik të mirëqenë, por për shkak se në krye kanë një njeri i cili mendon vetëm për shtëpinë e tij, për oborrin e tij dhe për të gjitha ato kanale që e lidhin këtë oborr me vendin në funksion të oborrit dhe jo të vendit. Kështu që të gjithë atyre që kryeministri thotë për opozitën dhe për gjoja pengesën që opozita po sjell në proceset e modernizimit të mëtejshëm të vendit, unë i përgjigjem me fjalinë e thjeshtë: opozita e tregoi veten atëherë kur duhej, duke hapur një proces konsensusi për reformat e mëdha dhe duke mundësuar kështu disa hapa që u duartrokitën nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe po e tregon veten sot kur duhet, duke i thënë ndal Sali Berishës, ndal këtij pushteti, ndal këtij Parlamenti, ndal kësaj force të verbër që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një sulltanat, sepse Shqipëria nuk mund të bëhet as sulltanat dhe as një ish-republikë sovjetike ku një klan, një familje një njeri sundojnë mbi të tjerët duke manipuluar, deformuar dhe dëmtuar vullnetin e gjithë të tjerëve. Kurse Presidentit Topi unë i kujtoj që ende nuk i ka dhënë përgjigje dhe nuk ka reaguar ndaj një letre të drejtuar në adresë të tij, ku është ngritur shqetësimi për kthimin e burgjeve në seksione të fushatës së Partisë Demokratike dhe për lirimin e një sërë njerëzish të rrezikshmërisë së lartë jashtë ligjit, për t’i bërë pjesë e kësaj fushate duke kërcënuar familje, fise dhe grupe të opozitës, veçanërisht në zonat rurale se do të përballeshin me ta para me kriminelët nëse do të shkonin për votim. Këtë presim ende sot nga Presidenti, ju falenderoj për pyetjen dhe shpresoj që nëpërmjet televizionit tuaj ai të njihet me përsëritjen e kësaj kërkese.
Shqetësimi im i fundit. A do të merrni pjesë në zgjedhjet vendore të datës 15 nëntor?
Ende nuk kemi marrë një vendim për këtë, por besoj që logjika e gjërave na çon drejt një vendimi që nuk ma ha mendja se ka shumë vend për diskutim.
Marrë nga “News 24”