“Shqipëria e Madhe”, Berisha i përgjigjet Lavrov: Je keqkuptuar
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje pas qëndrimit të një dite më parë nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov. I pyetur nga mediat pas takimit me komandantin e KFOR-it, Lietnant Gjeneral Markus Bentler, kreu i qeverisë u shpreh se në deklaratën e tij nuk ka thënë atë që citoi ministri rus. Sipas Berishës: “Eshtë për të ardhur keq. Ministri Lavrov ka deklaruar dhe ka thënë ato që unë nuk kam thënë. Unë nuk besoj se ka dëshiruar të thotë ato që unë kam thënë. Shpresoj të jetë një vështirësi që vjen nga vështirësia e lindur që rusët kanë për të përkthyer nga shqipja në rusisht”. Një ditë më parë, Lavrov interpretoi deklaratën e kryeministrit shqiptar si thirrje për bashkimin e shqiptarëve në rajon. Lavrov ka shprehur shqetësim të fortë për deklaratën e fundit të kryeministrit shqiptar, që sipas tij nënkupton se ka ardhur koha për unifikimin e të gjitha territoreve ku jetojnë shqiptarët, dhe i tërheq vëmendjen për këtë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të reagojnë në mënyrën e duhur. “Ne jemi shumë të alarmuar nga deklarata e kryeministrit shqiptar. Ne jemi të bindur se kjo deklaratë duhet të marrë reagimin e merituar, në radhë të parë nga Bashkimi Evropian dhe NATO”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp pas takimit me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç. ”Ne po presim të dëgjojmë këtë reagim”, tha Lavrov duke shtuar se, “shpresoj të bëhet e gjithë puna e nevojshme me këtë çështje të liderëve shqiptarë, duke pritur deklarata publike nga kryeqytetet evropiane”, tha ai.