E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i bën dhuratë Ina Ramës për festat, ligjin e ri

Mazhoranca programon kalimin në seancë parlamentare brenda këtij viti të ndryshimeve ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë". Në kalendarin dyjavor të punimeve të Kuvendit, kjo nismë mësohet të jetë përfshirë për seancën e fundit, që përkon me datën 29 dhjetor. Burimet nga konferenca e kryetarëve sqaruan dje se në mbledhje ka pasur debate mes përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës. Partia Socialiste ka insistuar te shtyrja e këtij drafti për t‘u dhënë kohën e duhur grupeve të interesit të njihen me atë çka është parashikuar në variantin e qeverisë. Gjithsesi është rënë dakord që nisma të lihet në rendin dyjavor të punimeve të Kuvendit, duke mos përjashtuar opsionin e shtyrjes nëse është e nevojshme. Sipas procedurave, parashikohet që projektligji të kalojë nga qeveria në Komisionin e Çështjeve Ligjore për t‘u diskutuar nga deputetët. Në këtë moment mund të ftohen grupet e interesit për të dhënë mendimet e tyre, duke nxjerrë më pas një variant përfundimtar, që do t‘i çohet për votim seancës. Në ligjin e ri që miratoi qeveria, parashikohen rastet e shmangies së konfliktit të interesit. Drejtuesit e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, drejtuesit e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, prokurorit të Apelit, prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, apo Prokurorit të Përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 dhe 17, pika 1 e Kodit të Procedurës Penale, i ndalohet të japë urdhra dhe udhëzime me shkrim të prokurorit të çështjes, apo të influencojë në çdo mënyrë tjetër. Në këtë rast, drejtuesi në konflikt interesi, njofton me shkrim Prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm, kryesisht, ose me kërkesë, vendos me shkrim mbi përjashtimin e drejtuesit nga procedura e dhënies së urdhrave dhe udhëzimeve drejtuesin në konflikt interesi. Në këtë vendim, Prokurori i Përgjithshëm cakton nëse dhe në çfarë pjese kanë vlerë veprimet e kryera mbi bazën e urdhrave dhe udhëzimeve të dhëna më parë nga drejtuesit në konflikt interesi. Në rastin kur Prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri, apo dhënia e një udhëzimi në një procedim në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron me shkrim gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit, apo dhënien e udhëzimit. Në këtë rast, urdhri, apo udhëzimi, nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejt e në strukturën e Prokurorit të Përgjithshëm. Në nenin 10 thuhet se mendimet e Këshillit të Prokurorisë paraqiten në formë të shkruar, të arsyetuara dhe nënshkruhen nga kryetari. Aktit, i bashkëlidhet detyrimisht dhe mendimi i anëtarëve në pakicë. Këshilli i Prokurorisë organizon konkursin për emërimin e kandidatëve për prokuror dhe i jep mendim Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin e prokurorëve në detyrë, shkarkimin e tyre, si dhe çdo nismë tjetër në natyrë disiplinore. Ai shqyrton vlerësimin e punës së prokurorëve dhe i paraqet për miratim Prokurorit të Përgjithshëm vlerësimin përfundimtar të aftësive profesionale të prokurorëve. Njëkohësisht i jep mendim Prokurorit të Përgjithshëm për ngritjen në detyrë të prokurorëve, transferimin (lëvizje paralele ose të ngjashme), si dhe kandidaturat e drejtuesve të prokurorive dhe zëvendësit e tyre, duke paraqitur mendimin e tij për kandidatët pas procedurës së konkurrimit. Këshilli merr në shqyrtim dhe jep mendim për vlerësimet e ministrit të Drejtësisë lidhur me inspektimet e kryera në organe të prokurorisë. Ndërsa jep mendim për projekt-aktet normative të Prokurorit të Përgjithshme, për unifikimin e politikës së ndjekjes penale në hetim e në gjykim, si dhe propozon masa për organizimin e brendshëm dhe miradministrimin e prokurorisë, apo përmirësimin e legjislacionit në fushën penale. Në nenin 56, thuhet se ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin e dërguar nga Ministria e Drejtësisë sipas kësaj pike. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›