Rafa Benitez nuk beson te forca e Liverpulit në garën për titull
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, pranon se skuadra e tij ka pak shanse për të fituar titullin në Premiership, pasi ata nuk mund të konkurrojnë me Arsenalin, Çelsin apo Mançester Junajted. Edhe pse "Reds" kryesojnë kampionatin, duke qëndruar një pikë përpara Çelsit, Benitez ka paralajmëruar tifozët, që të mos tregohen shumë euforikë. Në kolonat e tabloidit "The Sun", tekniku spanjoll nënvijëzoi se problemet financiare mund t‘i kushtojnë Liverpulit trofeun më të rëndësishëm në Angli. "Që ne të fitojmë kampionatin, duhet që Çelsi, Mançester Junajted dhe Arsenali të ‘shkatërrojnë‘ sezonin e tyre", tha ai. "Nuk ndodh shpesh që tri skuadra pretendente të gabojnë njëkohësisht, prandaj nuk duhet të presim që tre rivalët tanë direktë të humbasin pikë, pasi kjo nuk ka për të ndodhur. Ata kanë më shumë mjete financiare se Liverpuli". Këto fjalë mund të shkaktojnë shumë pakënaqësi në ambientin e skuadrës, mbi të gjitha te dy bashkëpronarët amerikanë, Hiks dhe Xhilet. Që prej emërimit të tij te Liverpuli në vitin 2004, Benitez ka fituar dy Champions dhe një FA Cup, por ende nuk ka arritur të shijojë titullin kampion. në të kaluarën, 48-vjeçari ka udhëhequr Valencian drejt titullit në Spanjë, por ai këmbëngul se fati ishte me ekipin e tij: "Barça dhe Reali kishin probleme dhe fitorja u bë e thjeshtë".