FIFA World Player, Mesi sfidon Kristiano Ronaldon
Pasi e ka fituar çmimin si "Topin e Artë", portugezi Kristiano Ronaldo është një hap larg një tjetër trofeu prestigjioz: "FIFA World Player of the Year". Sulmuesi portugez i Mançester Junajtid është në krye të një liste prej pesë kandidatësh për këtë titull. Një gjë e tillë është bërë e njohur dje nga organizata më e madhe e futbollit botëror. Në këtë listë bën pjesë edhe braziliani i Milanit, Kaka. Spanja kampione e Evropës është vlerësuar më shumë, pasi do të jenë dy kandidaturat e saj në këtë listë, pikërisht Fernando Torres dhe Ksavi Hernandes. Por nuk kishte se si t‘i mungonte edhe emri i një tjetër talenti të madh të futbollit ndërkombëtar, pikërisht ai i të riut argjentinas, Lionel Mesi. Madje, ky i fundit mendohet se do të jetë edhe rivali më i ashpër i Kristiano Ronaldos për fitimin e këtij çmimi. Trofeu i dhënë nga FIFA mbart një vlerë të madhe, pasi ai vjen falë votave të trajnerëve dhe të kapitenëve të kombëtareve të futbollit. Bazuar në statistikat e deritanishme, çmimi "FIFA World Player" është fituar në vitet e kaluara, pikërisht nga ai që më përpara kishte fituar edhe "Topin e Artë". Prandaj sipas të gjithë specialistëve, të pyetur enkas për këtë eveniment, duket se do të jetë sulmuesi portugez i anglezeve të Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo, superfavoriti për këtë çmim.