E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i bindur në fitore

Nga Express më 27 mars 2011 në ora 15:23

Kryeministri Sali Berisha theksoi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike se partia që ai drejton shkon “e sigurtë në fitore” në zgjedhjet e 8 majit.

“Shkojmë të sigurt në fitore sepse para shqiptarëve dalim si qytetarë, si prindër, si familjarë dhe si njerëz që kemi mbajtur premtimet tona, duke filluar që nga ujësjellësit nëpër fshatra deri tek zhvillimet më të mëdha të kombit”, u shpreh Berisha.

“Ne jemi parti e votës së lirë, jemi qytetarë të këtij vendi, të bashkuar pavarësisht të gjitha dallimeve të tjera, tek besimi ynë, i hekurt i palëkundur te vota e lirë dhe vlerat e saj”, shtoi Berisha.

Ai ka shprehur besimin se koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të jetë fitues i zgjedhjeve lokale të 8 majit. Sipas tij koalicioni i opozitës nuk i përket aspak të ardhmes së vendit por së shkuarës dhe nostalgjisë për etërit e saj.

Berisha nuk kurseu dhe akuzat për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duke thënë se zgjedhjet e 2009 nuk do të kujtohen më nga Rama kur të hasë në humbjen e zgjedhjeve të ardhshme.

“Pasi humbi dëshpërueshëm në vitin 2009 tani u thotë qytetarëve se ju nuk ekzistoni, por për mua ekziston vetëm obsesioni im Berisha. Por, në vitin 2013, Ramës do t’i duket lule viti 2009, kurse në 2012 përgjigjen do ta marrë nga zoti Basha”, ka thënë Berisha.

Për zgjedhjet vendore do të konkurrojnë 56 subjekte politike, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione- koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin”, i kryesuar nga Partia Demokratike në pushtet dhe që përfshin 22 parti dhe koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen” i drejtuar nga Partia Socialiste që përfshin 23 parti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›