Berisha i dërgon një mesazh ngushëllimi homologut italian për fatkeqësinë natyre në rajonin e Mesinës

Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh Kryeministrit të Republikës së Italisë. Z. Silvio Berluskoni, përmes të cilit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për pasojat e fatkeqësisë natyrore, të shkaktuar nga reshjet e jashtëzakonshme dhe shkarjet masive të terrenit në rajonin e Mesinës. Sikurse bën të ditur Zyra e Shtypit e Kryeministrisë, në këtë mesazh, Kryeministri Berisha shkruan se "Me keqardhje të thellë mësuam për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga reshjet e jashtëzakonshme dhe shkarjet masive të terrenit në rajonin e Mesinës, si pasojë e të cilave humbën jetën një numër i madh qytetarësh të vendit tuaj, u plagosën shumë të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale. Më lejoni që në këtë çast dhimbjeje të ndaj me Ju, qeverinë dhe kombin mik italian, hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore dhe t’Ju shpreh, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, për familjet e viktimave dhe kombin tuaj dhe lutjen tonë, që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar. Gjithashtu, ne urojmë së bashku me ju për shpëtimin e personave të humbur nga ekipet e specializuara, shërimin e të lënduarve dhe kthimin e tyre të shpejtë në gjirin e familjeve", theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Kryeministrit Berisha.
...