E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për vendgrubullimin e mbetjeve urbane në Vlorë

Vlera financiare e akorduar nga qeveria shqiptare 20 milionë lekë, është për hartimin e projektit të ndërtimit të vendgrumbullimit të ri të mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, Ardian Musta, tha se: "hartimi i projektit, i hap rrugë procedurave të zbatimit të tij, që parashikohet të realizohet në një territor rreth 5 km në veri të qytetit të Vlorës". Hartimi i projektit pritet të përfundojë brenda këtij viti, ndërkohë që, në 2010, parashikohet të nisë puna në terren.Ndërtimi i vendgrumbullimit (landfilldit) të ri të mbetjeve urbane të Vlorës, është një nga investimet më të rëndësishme në këtë qytet. Pak muaj më parë, një kompani amerikane përfundoi studimin e fizibilitetit për realizimin e tij në pikën e emërtuar "Bestrova 1", një prej tre vendeve të propozuara paraprakisht. Në realizimin e këtij projekti, është përfshirë edhe shoqëria civile, që përfaqësohet në një komision të përbashkët lokal, i përbërë edhe nga specialistë të disa institucioneve, që do të drejtojë procedurat për ndërtimin. Paralelisht me këtë, komisioni ka nisur punën për informimin e publikut, për këtë investim, duke organizuar takime të hapura.Ndërkohë, KRRT-ja e Qarkut, ka miratuar vendin e zbatimit të projektit.Hedhja e mbetjeve urbane, përbën një nga problemet më shqetësuese në qytetin e Vlorës. Vendhedhja aktuale, ndodhet në periferi të tij, por shumë afër kufirit të banesave të fundit. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e popullimit të zonave periferike të Vlorës, nga fluksi i lëvizjeve demografike të pas viteve ’90-të. Nga ana tjetër, përpunimi i mbetjeve të ngurta shoqërohet me ndotje të mjedisit dhe pasoja të tjera të dëmshme. Ky shqetësim shtohet në periudhën e verës, kur rriten temperaturat dhe numri i popullsisë, për shkak të ardhjes së pushuesve. Këshilli i Qarkut në bashkëpunim me bashkinë, kanë përgatitur një plan perspektiv për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë qytet, i cili do të zgjidhë përfundimisht edhe shqetësimet aktuale, që, evidentohen në këtë drejtim. Pjesa kryesore e projektit, konsiderohet ndërtimi i vendhedhjes (landfilld) për këto mbetje, ku do të instalohet teknologjia e përpunimit të tyre, në përshtatje me kërkesat bashkëkohore. Një sipërfaqe prej 20 hektarësh, në afërsi të fshatit Bestrovë, 5 km në veri të qytetit të Vlorës, i përmbush parametrat e nevojshëm. Projekti i plotë i "landfilld"-it, që do të mbështetet nga qeveria, ka një vlerë financiare prej 6.2 milionë euro dhe do të zbatohet i ndarë në dy faza, në një perspektivë 20 vjeçare. Në fazën e parë të tij, përfshihet realizimi dhe përmirësimi i standardeve të grumbullimit, transportit dhe hedhjes së mbeturinave, ku veçohet mundësia e riciklimit të kategorive të caktuara të mbetjeve urbane, veçanërisht atyre me material plastik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›