Berisha i jep Brisbejnit titullin
26-vjeçari shënoi dy golat e triumfit të Brisbejnit, duke i dhuruar skuadrës së tij titullin kampion, pas një përmbysje befasuese. Në fakt, Perth Glori kryesonte 1-0 deri në minutën e 84-rt, por sulmuesi kuqezi tregoi të gjithë klasin e tij.
Fillimisht ai barazoi rezultatin, pas një devijimi të shkëlqyer me kokë, ndërsa në minutën e katërt shtesë, Berisha shndërroi në gol një 11-metërsh të fituar nga ai vetë, pas një dueli me tre mbrojtës kundërshtarë. Me golin e fitores, ai i dhuroi Brisbejnit triumfin 2-1, mes polemikave dhe kontestimeve të Perth Glorit për momentin e penalltisë.
Ky është titulli i dytë radhazi për Brisbejn Roar, ndërsa protagonist absolute i triumfit ishte lojtari i Kombëtares shqiptare. Në fakt, Besart Berisha e mbylli sezonin e rregullt në kuotën e 19 golave, ndërsa me dygolëshin në finalen e madhe, ai u ngjit në kuotën e 21 rrjetave në këtë edicion.
Këto shifra të sulmuesit janë një record më vete në kampionatin Australian, ndërsa edhe skuadra e Brisbejnit e mbylli sezonin mes rekordeve. Deri në mesin e dhjetorit 2011 ata ishin ekipi i vetëm në histori që nuk humbisnin prej 36 ndeshjeve radhazi, ndërsa tashmë bëhen skuadra e parë në Australi që e fiton titullin dy herë radhazi.