Muamba falënderon Zotin për “mrekullinë”

24 vjeçari, gjatë një interviste për tabloidin britanik The Sun, komentoi për herë të parë ngjarjen e cila e la “të vdekur për 78 minuta”, pas rrëzimit në fushë gjatë ndeshjes së muajit të kaluar kundër Tottenhamit.
“Ajo që më ndodhi ishte më tepër se një mrekulli. Në mëngjesin e ndeshjes, së bashku me babanë e kam lutur Zotin të më mbrojë, dhe ai nuk më zhgënjeu”, tha Muamba. Rikuperimi i tij është aq mbresëlënës sa që ai është kthyer në shtëpi të hënën e shkuar, vetëm një muaj pas shtrirjes në spital.
Muamba ka pranuar se nuk i kujtohet trajtimi në White Hart Lane, ose dërgimi në spitalin London Chest, por ishte në gjendje të përshkruajë çastet para rrëzimit.
“Nuk ndjeja dhimbje. Asnjë shtangim në gjoks ose diçka të tillë. Vetëm një ndjenjë e çuditshme që është e vështirë të shpjegohet. Pastaj fillova të shoh dyfish. Ishte sikur një ëndërr. Terr, asgjë. Isha i vdekur”, theksoi ai. Ende nuk është e qartë nëse Muamba mund të kthehet të luajë futboll.