E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A gabon Milani

Goli i vonshëm i barazimit thjesht zvogëloi paksa zhgënjimin për një hap të hedhur në mënyrë të gabuar. Milani kafshon gishtat që nuk theu dot Bolonjën, duke ia larguar vetes mundësinë për të mbrojtur titullin në Serinë A. Bolonjezët madje, kaluan të parët në epërsi që në minutën e 27-të kur shënoi Ramirez dhe me gjithë këmbënguljen e kuqezinjve, goli nuk donte që nuk donte të vinte.

Në minutën e 56-të në fushë hyri Kasano dhe pas këtij momenti loja e vendasve ndryshoi duke u bërë më e rrezikshme. Gjithsesi, gjithçka u përkeqësua 8 minuta para fundit kur mbrojtësi Bonera u përjashtua nga loja me karton të kuq, por ky inferioritet numerik sikur u bë katalizator për skuadrën e Alegrit që arriti të paktën të barazonte. Më parë Ibrahimoviç provoi me një roveshatë, një veprim spektakolar, por me topin që përfundoi jashtë. Më tej erdhi goli, i shënuar nga i zakonshmi, Ibra në minutën e fundit. Më tej, rasti i Robinjos nuk solli golin e fitores.

Mbetet e fortë gara për vendin e tretë, pasi skuadrat pretendente po gabojnë njëra pas tjetrës. Interi u ndal në Firence në një barazim 0-0 në fushën e Fiorentinës, duke mos bërë rikuperimin e kërkuar. Por, nuk shkoi më larg se barazimi edhe Lacio, që u bllokua në fushën e saj 1-1 nga Leçe. Gjithçka ndodhi në minutat e fundit, kur vendasit shënuan me anë të Matuzalemit, por bullgari Bojinov barazoi për puljezët. Probleme në Xhenoa-Siena, që përfundoi 1-4, ndërsa tifozët e ndërprenë takimin për shumë minuta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›