E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dortmundi kampion

Dortmund e fitoi më në fund atë që kërkonte. U shpall kampion i Gjermanisë 2 javë para përfundimit, edhe pse Bajerni nuk lëshoi pe. Borusia ruajti titullin me fitoren 2-0 ndaj Mynshengladbahut në “Signal Iduna Park”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Jurgen Klop, shënoi fillimisht me anë të sulmuesit kroat, Ivan Perishiç në 23’, ndërsa japonezi Shinji Kagaua dyfishoi shifrat në minutën e 59-të.

Ky ishte titulli i 8-të kampion për Dortmundin dhe i dyti radhazi, ndërsa mbetet vetëm një titull prapa Nyrembergut që ka fituar 9 të tilla. Rekordmen në fitimin e Bundesligës është i palëkundur Bajerni i Mynihut me 22 fitore.

Dhe Bajerni ka vendosur ta mbyllë Bundesligën ashtu siç i ka hije. Skuadra e madhe bavareze fitoi me përmbysje në fushën e Verderit, pra në Bremen, madje 3 pikët u morën në minutën e fundit, me anë të golit shënuar nga Frank Riberi.

Ekipi i Jup Hajnkesit kishte nevojë për një fitore për të mos lejuar Dortmundin që të dilte kampione që në orën 17:20, por jo vetëm që nuk shënoi dot shpejt, por pësoi gol me të nisur pjesa e dytë. Autor i kësaj rrjete ishte mbrojtësi vendas, Naldo.

Bajerni e rriti presionin dhe mori frytet në minutat e mëvonshme. Ishte po Naldo që realizoi sërish, por këtë herë në portën e tij duke barazuar rezultatin në 1-1, ndërsa Frank Riberi bëri që skuadra mike të dilte nga “Vesershtadioni” me fitore.

Në ndeshjet e tjera të orës 15:30, Kaizerslautern e Leverkusen arritën fitore jashtë fushe, përkatësisht ndaj Hertës me rezultatin 2-1 dhe Hofenhajmit me shifrat 1-0.

Dy takimet e tjera përfunduan në barazim. Këlni doli 1-1 në fushën e tij me Shtutgartin në formë, ndërsa po 1-1 përfundoi takimi Nyremberg-Hamburg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›