E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel fiton ne Bahrein

Tregoi se nuk e kishte harruar instinktin e fitores, edhe pse në dy garat e para në Malajzi dhe Kinë nuk ia kishte ndjerë shijen. Kampioni i botës në Formula 1, Sebastian Fetel, triumfoi në Çmimin e Madh të Bahreinit në Gjirin Persik, duke u ngjitur edhe në krye të renditjes së pilotëve. Madje, ky sukses bëri që edhe Red Bulli të dilte në vendin e parë të klasifikimit të skuadrave.

Fetel u nis nga “pole position” dhe u shkëput shpejt, duke krijuar distancë me ndjekësit kryesorë, ndërsa Ljuis Hamilton me Meklaren Mercedesin e tij u pengua nga ndalesat në bokse, pasi mekanikët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Po ashtu, piloti anglez bëri një parakalim të dyshimtë ndaj Rosbergut, gjë që nuk është se e ndihmoi shumë.

I shkëlqyer ishte Kimi Raikonen me Lotusin e tij. i nisur nga vendi i 11-të, shumë shpejt finlandezi mbërriti në vendin e tretë kur kishin kaluar vetëm 10 xhiro dhe e kapi Fetelin në gjysmën e garës.

Po ashtu, i jashtëzakonshëm ishte edhe shoku i tij i skuadrës, Roman Groszhan, cili doli në vendin e tretë në përfundim të garës.

Një paraqitje për t’u harruar për dy makinat Ferrari, ndërsa Alonso doli vetëm i 7-ti i lënë prapa nga suprirza Pol Di Resta, britaniku me makinën Fors India. Hamilton doli i 8-ti, ndërsa Felipe Masa, dy herë fitues në Bahrein, vetëm i 9-ti. Anglezi tjetër i Meklarenit, Xhenson Baton, u tërhoq në fund pas shpimit të një gome dhe një defekti në makinë.

Fetel kryeson me 53 pikë, Hamilton ka 49, Ueber 48, Baton dhe Alonso nga 43. Për skuadrat, Red Bull ka 101 pikë, Meklaren 92, Lotus 57, Ferrari 45 dhe Mercedes 37.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›