Berisha i kthehet fushatës
Majlinda Rama
Ndërkohë që nuk është mbyllur ende procesi zgjedhor i 28 qershorit, Partia Demokratike hyn në një tjetër fushatë elektorale. Bëhet fjalë për zgjedhjet e 2 gushtit për kryetarin e komunës së Ballagatit, në të cilën megjithëse u shpall një fitues në vitin 2007, ai nuk e ushtroi asnjë ditë detyrën. Gjatë një takimi elektoral në këtë komunë, kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Ballagat-Peqin, një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 150 milionë lekë dhe me gjatësi 12 kilometra. Kryeministri vlerësoi projektin e kësaj rruge, e cila lehtëson shumë jetën e banorëve të kësaj zone. Kryeministri tha se me këtë rrugë, së bashku me Boshtin e Jugut dhe rrugën që kalon në Belsh, Kosovë, zona dhe e gjithë Dumreja njeh një urbanizim të madh dhe dalje më të shpejtë të prodhimeve në treg. “Ju ftoj të merrni pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunën tuaj, të votoni për vazhdimin e ndryshimit. Shqipëria ka nevojë për besimin tuaj, për votën tuaj. Unë ju garantoj ju se kjo votë do të shndërrohet në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, pensione të larta, do të shndërrohet në mbështetjen më të fuqishme që keni njohur ndonjëherë për fermat tuaja dhe për zhvillimin e tyre”, u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë këtij takimi. Sipas tij, mandati i dytë i fituar nga Partia Demokratike do të shkëpusë vendin nga prapambetja. “Mandati i dytë është mandati i mundësive më të mëdha në tërë historinë e vendit, është mandati në të cilin ne jemi të bindur se do ta ndryshojmë Shqipërinë në atë mënyrë, sa ajo të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga prapambetja shekullore që trashëgon. Mandati i dytë është mandati i fytyrës evropiane të Ballagatit e të mbarë Shqipërisë. Mandati i dytë është mandati në të cilin ne do të bëjmë që qytetarët e Ballagatit dhe të gjithë Shqipërisë të gëzojnë ato të drejta, ato kushte jetese të denja për qytetarët evropianë”, vijoi më tej kryeministri Berisha. Shkaku i rivotimit për kryetar komune në Ballagat rrjedh që prej shkurtit të 2007-ës. Në këto zgjedhje ka dalë fitues për këtë komunë Fatos Sharka. Ai doli si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të 2007-ës, për faktin e vetëm se nuk pranoi koalicionin PS-LSI. Sharka ishte anëtar i PS-së së Lushnjës dhe të Ballagatit. Ai fitoi me 598 vota, ndaj 554 që mori kandidati i Partisë Demokratike. Por fitorja e Sharkës nuk zgjati më shumë, pasi ai u akuzua nga qeveria për shpërdorim detyre dhe gjykata e Lushnjës e dënoi me 2 vjet burgim dhe 300 mijë lekë gjobë. Në këto zgjedhje nga Partia Demokratike kandidon Serbet Sharka, ndërsa nga Partia Socialiste, Neshat Sharka. Në këtë komunë, e cila ka 2511 votues, në zgjedhjet e 28 qershorit Partia Demokratike ka marrë rreth 60 vota më shumë se Partia Socialiste, ndërkohë që këto zgjedhje janë të parat pas atyre të 28 qershorit në rang vendi.