Kapiteni Begaj: Luajmë për fitore
Skena e fundit e turit të dytë të Ligës së Evropës për Flamurtarin do të konsumohet në Skoci, ku është fokusuar vëmendja e gjithë vlonjatëve, por edhe e sportdashësve të tjerë shqiptarë. Ekipi kuqezi, pas fitores me rezultatin 1-0 në Vlorë ka shanse kualifikimi, gjë që do ta bënte skuadrën vlonjate të vetmen që mund të vazhdojë të përfaqësojë futbollin shqiptar në Evropë. Për të rrokur suksesin, vlonjatëve u është dashur të bëjnë fillimisht llogaritë me udhëtimin e gjatë. Zhvendosja nga Vlora që ditën e martë në mbrëmje drejt Hotel “Leonardos” në Durrës, është bërë me qëllim që të shpërndahet lodhja që parashikohej nga udhëtimi i gjatë drejt ishullit britanik. Kapiteni vlonjat, Halim Begaj, nuk pranon asnjë rezultat tjetër përveç kualifikimit, pavarësisht se është i ndërgjegjshëm se do të jetë një mision i vështirë. “Jemi në vëmendjen e të gjithë Shqipërisë dhe do të kërkojmë të rezistojmë në fushën kundërshtare. Impenjimi i skocezëve në fushën e vet na bën të mendojmë se ky takim, nga i cili varet kualifikimi, nuk do të jetë një shëtitje, përkundrazi, do të jetë shumë i vështirë – ka thënë Begaj për ‘Panorama Sport’. - Faktorit fushë i shtohet edhe lodhja jonë nga udhëtimi i gjatë dhe kjo është në favor të kundërshtarëve. Gjithsesi ne nuk dorëzohemi lehtë. Pavarësisht këtyre, unë kam bindjen, ndonëse tingëllon paksa çuditshëm, se në fushë kundërshtare luajmë më mirë dhe me zemër, ndaj mund të fitojmë. Duhet të jemi agresivë, sepse nëse mendojmë vetëm të mbrohemi, atëherë mund të humbim. Kjo është transferta e parë jashtë Shqipërisë për grupin tonë dhe megjithëse do të jetë më e vështirë, mund t’ia dalim”. Kapiteni i skuadrës vlonjate nuk i kursen as batutat. “Në transfertë kemi luajtur edhe në fusha ku nuk ka pasur bar. Të paktën atje terreni do të jetë i mirë...”, është shprehur ai. Sipas Begajt, ky Flamurtar edhe pse është me pak përvojë në kompeticionet evropiane, mund ta përballojë me sukses takimin jo vetëm prej avantazhit që ka siguruar në fushën e vet, por edhe sepse kjo skuadër duhet të demonstrojë që jo më kot ka arritur deri këtu. Për këtë ai i kujton ekipit rrugën e vështirë që iu desh të bënte Flamurtari gjatë sezonit të kaluar, kur luante në dy fronte, për Kupë dhe për kampionat.