Republikanët presin negociatat PD-LSI
BLEDAR HOTI
Negociatat me Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim do të vendosin dhe fatin e partive aleate të demokratëve për portofolet qeveritare. Republikanët, duket se janë në pritje të takimit zyrtar PD-LSI, të dy liderëve Berisha dhe Meta për të realizuar më pas edhe shpalljen e pretendimeve të tyre. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu në një prononcim për median nuk ka artikuluar ende postet, që kërkon subjekti i tij politik, duke mos përmendur dikastere konkrete, por ka lënë të nënkuptohet se synojnë të marrin më shumë se një ministri. Mediu shprehet se
“Partia Republikane nuk ka vendosur kushte se drejtimin e kujt ministrie do të marrë”. Mosvënia e kushteve duket se ndikohet pikërisht se aleatët e PD-së janë pritje të negociatave zyrtare me LSI-në, në mënyrë që të njihen me pretendimet e kësaj force politike e cila ka një numër më të madh deputetësh se sa republikanët në Kuvend. “Kam bërë takim me Kryeministrin Berisha dhe kemi folur ne parim për sa i përket organizimit të Qeverisë së ardhshme, ku kemi lënë që brenda muajit gusht të mbyllen negociatat dhe përcaktimet e gjithë secilit subjekt në qeverisjen e ardhshme. Kam bindjen se çdo gjë do të funksionojë në bazë të kontributit, që ka dhënë gjithsecili subjekt në rezultatin e zgjedhjeve. Unë asnjëherë nuk kam folur në numrin njëjës, PR-ja duhet të përfaqësohet politikisht dhe janë strukturat ato që do të vendosin se kush do të jetë përfaqësia e PR-së në qeveri”- u shpreh Mediu. Në të njëjtën kohë kryerepublikani thekson se pret të realizojë takimin zyrtar me kreun e PD-së për të bërë prezent kërkesat e republikanëve. Kohë më parë kreu i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo ka bërë të ditur se republikanët mund të marrin një post ministror në Shëndetësi ose në Ekonomi, duke mos përjashtuar edhe preferencën për Bujqësinë. Ndërkohë, që është përfolur se republikanët mund të marrin vetëm Ministrinë e Mjedisit dhe disa poste zëvendësministrash. Negociatat me PD-LSI, sipas burimeve mësohet se mund të zhvillohen nga java e ardhshme, përndryshe parashikimeve për t’u mbajtur sot ose nesër. Lëvizja Socialiste për Integrim ka gati platformën e saj për qeverisje, e cila do të bëhet prezente zyrtarisht nga ana e kreut të kësaj partie Ilir Meta në takimin me Kryeministrin Berisha. Ndërsa përflitet që LSI-ja mund të marrë tre poste ministrore në qeverinë “Berisha 2”. Dikastere si Arsimi, Shëndetësia dhe Ekonomia ose Drejtësia përfliten se do të jenë të kësaj partie, por përfundimisht negociatat zyrtare pritet të vendosin një gjë të tillë. Parashikohet gjithashtu, që LSI-ja të marrë edhe disa poste në rang zëvendësministrash si dhe në nivele të tjera qeverisëse. Ndërsa kreu i PD-së duhet të parashikojë edhe dhënien e një portofoli ministror për Partinë Drejtësi dhe Integrim. Negociatat zyrtare që pritet të nisin të hënën parashikohen të mbyllen brenda javës së ardhshme, duke formatuar qeverinë e re përpara hapjes së punimeve të sesionit të ri të Parlamentit.