Berisha i lëkundur: Presidenti me votim të thjeshtë, ose nga populli
Për Kryeministrin Berisha, Presidenti i vendit duhet të dalë nga 71 vota, në të kundërt do të votohet nga populli. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Çekisë, Berisha argumentoi dhe sqaroi situatën që po ndodh brenda grupit të PD-së, ku deputetët e tij po dalin me dy lista të veçanta, duke mbështetur dy variante të ndryshme. "Unë mendoj se gjithçka është e qartë. Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që të votojë paketën e miratuar nga Komisioni i Ligjeve. Ky është vendimi politik i Kryesisë së PD-së", tha Berisha. Po cilën nga këto dy variante që janë në Komisionin e Ligjeve do të mbështesë Kryeministri Berisha? Kësaj pyetjeje ai iu përgjigj duke u treguar luajal. "Lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, unë kam qenë avokat i zgjedhjes së Presidentit nga populli, por në pamundësi për të realizuar një gjë të tillë, nenin me 3/5 unë e konsideroj një nënkrizë dhe pranoj variantin tjetër", tha ai. Numri një i qeverisë u shpreh se "tashmë dihet që personalisht kam hequr dorë nga ambiciet presidenciale dhe dua të heq një nënkrizë për Kushtetutën e vendit. Grupi parlamentar ka vendosur që të mbështesë vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike. Por, në rast se bëhen 94 vota për ta zgjedhur Presidentin nga populli, në kuadrin e paketës së ndryshimeve, ky zhvillim është shumë i mirëpritur". Këto deklarata, shefi i qeverisë i ka bërë në takimin që ka zhvilluar me Kryeministrin çek, Miren Topolanek. Ky i fundit u shpreh se "edhe në partinë time, Partinë Demokratike ku unë bëj pjesë, ka mendime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të zgjidhet Presidenti". Por sesi do të zgjidhet kreu i ardhshëm i shtetit, gjithçka do të përcaktohet nga numri i votave në Kuvend. Kryeministri Berisha u ka dhënë liri veprimi deputetëve të PD-së për të lobuar majtas për të gjetur numrin e duhur të votave në Kuvend, për të miratuar ndryshimet kushtetuese. Aktualisht, Partia Demokratike vendoset përballë sfidës së aleancave për të siguruar 94 numrat që i nevojiten në Kuvend për vendimin që Presidenti të zgjidhet nga populli. Pas mbledhjes së zhurmshme të Kryesisë së PD-së dhe më pas të grupit parlamentar demokrat, Kryeministri Sali Berisha ka pranuar më në fund që nëse 28 firmëtarët e PD-së sigurojnë 94 votat në Kuvend, atëherë Presidenti do të zgjidhet nga populli.
Nëse nuk arrihet konsensusi i duhur mes forcave më të mëdha politike, partia në pushtet do ta ketë të vështirë të kalojë me sukses betejën e numrave në Kuvend për realizuar ndërhyrjet në dokumentin themeltar të shtetit. Neni 87 i Kushtetutës ka nxehur ditët e fundit kampin blu dhe ai rrezikon seriozisht katarsin brenda selisë blu.
Nëse nuk arrihet konsensusi i duhur mes forcave më të mëdha politike, partia në pushtet do ta ketë të vështirë të kalojë me sukses betejën e numrave në Kuvend për realizuar ndërhyrjet në dokumentin themeltar të shtetit. Neni 87 i Kushtetutës ka nxehur ditët e fundit kampin blu dhe ai rrezikon seriozisht katarsin brenda selisë blu.