E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task Forca, si do kërkohen të pushkatuarit nga regjimi



ADI SHKEMBI

Qeveria vendos krijimin e Task- Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Dy javë pas kërkesës së kryeministrit Berisha, Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë kanë përgatitur draftin, i cili u miratua dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ky organizëm do të drejtohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe në përbërje të tij do të jenë një sërë funksionarësh të lartë të arkivave dhe policisë. Konkretisht në vendimmarrjen për kërkimin e personave të zhdukur gjatë 46 viteve të regjimit komunist do të jenë drejtori i përgjithshëm i arkivave, drejtori i arkivës së SHISH-it, drejtori i arkivës së Ministrisë së Brendshme, drejtori i arkivit në Ministrinë e Mbrojtjes, zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëndrejtori i Burgjeve, nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë. Sipas vendimit të propozuar dje nga Basha e Nishani në mbledhjet e Task Forcës mund të marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera. Përsa i përket përbërjes së kësaj strukture, pjesë e sekretariatit teknik do të jenë përfaqësues nga Ministri e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.
Objekti
"Task-Forca ka si qëllim kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Për realizimin e këtij qëllimi, ajo bashkërendon punën për: identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të cilët nuk dihet vendi i varrimit; identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve; gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre", thuhet në pikën 4 të vendimit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Zv.ministri i Brendshëm, i cili do të jetë edhe kryetari i Task Forcës do të thërrasë mbledhjet, në përfundim të të cilave ai do të raportojë te Kryeministri për ecurinë e procesit dhe rezultatet konkrete. Në të njëjtën kohë kreu i Task-Forcës do të raportojë pranë kreut të qeverisë edhe për çështje të veçanta. "Anëtari i Task- Forcës kryen këto detyra: harton planet e masave, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon; bashkërendon të gjitha veprimtaritë me institucionet e tjera; raporton periodikisht, pranë kryetarit të Task-Forcës, lidhur me ecurinë dhe rezultatet e arritura nga institucioni që përfaqëson", thuhet më tej në vendimin e qeverisë. Institucionet të cilat do të kenë anëtarët e tyre në strukturën e re duhet të paraqesin emrat e zyrtarëve brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Vendimi i maxhorancës për ngritjen e një Task-Force për kërkimin e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist erdhi pasi në malin e Dajtit u gjetën eshtrat e 19 të ekzekutuarve.

Anëtarët e Task-Forcë

• Zv.ministri i Brendshëm

• Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave

• Drejtori i Arkivës së SHISH

• Drejtori i Arkivës së Ministrisë së Brendshme

• Drejtori i Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes

• Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

• Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve

• Nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore

• Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›