E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria jep pronë, për “Motrat e Nënë Terezës”



Qeveria mori dje vendim për ti dhënë një pronë me sipërfaqe 2 mijë m2 për misionin e bamirëses Nënë Tereza. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave u miratua propozimi i ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Genc Pollo. "Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në pronësi, pa shpërblim, misionit të bamirësisë "Motrat e Nënë Terezës", të pronës, truall, me sipërfaqe 2 000 (dy mijë) m2, të ndodhur në rrugën "Irfan Tomini", Tiranë, sipas planvendosjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kalimi i pronësisë të bëhet për misionin e bamirësisë "Motrat e Nënë Terezës", sipas dispozitave të Kodit Civil", thuhet në vendimin e miratuar nga qeveria. Misioni bamirësisë "Motrat e Nënë Terezës" është i pranishëm në Shqipëri prej vitit 1991. Misioni e ushtron veprimtarinë e tij në një godinë e ndërtuar mbi një truall që është në pronësi të shtetit. Për të shmangur zhvendosjen fizike të misionit bamirës nga ambientet, të cilat ofrojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e aktivitetit, vendimi parashikon dhënien në pronësi të tokës shtetërore këtij misioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›