E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitoruesit e ODIHR-it takojnë Ponin, Islamin dhe Rusmalin



Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri, përfaqësuesit e misionit të ODIHR-it kanë zhvilluar një takim me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinad Poni, me kryetarin e Komisionit parlamentar për monitorimin e procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, Ilir Rusmali dhe nënkryetarin Kastriot Islami. Drejtori i Departamentit të Zgjedhjeve në ODIHR, Gerald Miçell, u shpreh pas takimit me Rusmalin se misioni i tyre është në kuadër të vëzhgimit të nevojave që ka vendi. “Në takim ne diskutuam vetëm për misionin standard që do të kryejmë këtë javë, që është një mision përgatitor për rastet kur zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe për të drejtat e njeriut duhet të dërgojë një mision vëzhgimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ne kemi pasur një sërë takimesh këtë javë dhe ky ishte thjesht një nga ato takime”, – është shprehur Miçell.
Ndërkaq, takimet kanë vijuar edhe në Ministrinë e Brendshme, ku janë pritur nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinad Poni. Ky i fundit tha për gazetarët se kishte njohur grupin e OSBE-së me ecurinë e procesit të aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Sipas Ponit, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave po ecën me hapa normalë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i drejtohen zyrave të gjendjeve civile për t’u pajisur me to.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›