E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i ul taksat pronarëve të kazinove bregdetare, falen 28 mln USD

PS akuzon kryeministrin
Deputeti i PS, Andis Harasani deklaroi se në buxhetin e dymujorit të vitit 2009 është konstatuar një deficit prej 35 mln USD. Deputeti socialist në bazë të konstatimeve ka renditur disa pika të rëndësishme, të cilat deklarojnë abuzivizmin e qeverisë. Sipas tij, TVSH në 2 muaj ka një mosrealizim me 10 mln USD ose 93% 3, tatim fitimi në 2 muaj ka një mosrealizim me 4 mln USD ose 85%, tatimi mbi pasurinë në 2 muaj ka një mosrealizim me 4.3 mln USD ose 27.9%, taksat lokale në 2 muaj kanë një mosrealizim me 7.3 mln USD ose 58.3% dhe të ardhurat nga Institucionet Buxhetore në 2 muaj kanë një mosrealizim me 15 mln USD. Më tej, Harasani deklaroi se Berisha njeriu i antikazinove me vendimin pastërtisht klientelist dhe korruptiv, i ul detyrimet pronarëve të kazinove në bregdet nga 1 milionë dollarë në 300,000 mijë dollarë. Pra më shumë se 70%. Kështu, i fal atyre 28 milionë dollarë, ndërkohë që sipas tij, me kaq para mund të paguheshin karta identiteti për ata shqiptarë, të cilët kjo politikë e vjetër i ka lënë në gjendje të mjerueshme. Deputeti Harasani kujtoi vitin 2005, kur Berisha shprehte kundërshtinë e tij ndaj kazinove. Berisha dhe Berishët çirreshin para vitit 2005, duke akuzuar këdo për gjithçka në lidhje me kazinotë, por për të ngritur me shqetësim zërin tonë për vendimin e pastër klientelist të ndërmarrë nga qeveria në datën 25 mars 2009, ku vetëm tre muaj pas hyrjes në fuqi, rishikohet ligji Për taksat kombëtare", por duke prekur vetëm tarifat që duhet të paguajnë subjektet të cilat operojnë në fushën e lojërave të fatit, si për sa u përket licencave, ashtu edhe detyrimeve vjetore ndaj Buxhetit të Shtetit, u shpreh deputeti socialist. Duke iu referuar qëndrimit pozitiv të kryeministrit Berisha për kazinotë, ndërkohë që dikur është shprehur kundër, Harasani tha se është e papranueshme të mendosh se ky ish kampion i luftës kundër kazinove, njeriu që premtoi që do hiqte dhe kazinonë në qendër të kryeqytetit, sot, vetëm 4 vite më vonë, u fal pa asnjë përgjegjësi 28 milionë dollarë pronarëve të ardhshëm të këtyre kazinove në bregdet, pronarë të cilët shumë shpejt do bëhet e njohur për publikun që janë shumë pranë familjes biologjike të kryeministrit. Sipas këtyre konstatimeve, qeveria ka injoruar propozimet e opozitës për karta identiteti falas për qytetarët në nevojë, duke treguar se kështu do të dëmtohet buxheti i shtetit. Por, ndërkohë qeveria tregon gatishmërinë  e saj për të subvencionuar kazinotë, kur më përpara është shprehur kundër ekzistencës së tyre. Ai tha se sot, kur ngelen dhe 89 ditë nga përfundimi i mandatit katër vjeçar të qeverisjes që nuk meritojmë, politika që kërkon të riciklohet sërish, vazhdon sërish shfaqjet qesharake. Harasani vuri në dukje se kriza ekonomike po shtrihet në çdo familje biologjike shqiptare, përveç asaj të Sali Berishës, në çdo biznes, përveç biznesit familjar të Sali Berishës.Qeveria vazhdon të marrë vendime të pastra korruptive duke ndryshuar çdo tre muaj dhe vet vendimet e saj, të miratuara biles dhe në parlament, tha Harasani. Në këtë kuadër, Harasani përsëriti fjalët se kurrë nuk është vonë, që ai të ikë. Të ikë që të ketë kohë të turpërohet, të ikë që të ketë kohë të pendohet. Të ikë me votë, të ikë duke iu dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve që të ushtrojnë sovranitetin e tyre në 24 orëshin e datës 28 qershor, me atë dinjitet evropian që ai megjithatë, nuk do të mundë tua marrë dhe 4 vjet të tjera si këto që mbarojnë në 28 Qershor nuk i duhen më Shqipërisë dhe shqiptarëve, u shpreh Harasani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›