E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inauguron bulevardin e Kukësit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e përfundimit të punimeve në bulevardin e qytetit të Kukësit, një qytet që shtrihet në pjesën verilindore të Shqipërisë, rreth 220 km larg Tiranës. Sipas tij, ky është një bulevard i ri, i rindërtuar tërësisht në një segment prej rreth 1 km, me trotuare dhe ndriçim. Berisha përgëzoi kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, për kujdesin e treguar për ndërtimin e këtij bulevardi dhe për mbjelljen anash tij, të drurëve nga më të shumëllojshmit si bli, pisha etj.

"Ky është një investim tjetër, që i jep Kukësit një bulevard modern evropian", - u shpreh Berisha. Po dje Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dhe në inaugurimin e magazinës frigoriferike të patateve, e ndërtuar në periferi të qytetit të Kukësit. Ky është një investim prej 60 milionë lekësh për përpunimin e patates së Shishtavecit, një nga varietet më të mrekullueshme. Sipas Kryeministrit Berisha, "ndërtimi i kësaj magazine frigoriferike është një ndihmë edhe për zonat e tjera që mbjellin patate, madje edhe për tregun shqiptar në të dyja anët e kufirit".

Lidhja e Prizrenit, Berisha: Shqiptarët ruajtën identitetin

Shqiptarët ditën të ruajnë identitetin e tyre edhe në kohët më të vështira të historisë tyre. Këtë konstatim bëri dje Kryeministri Sali Berisha në qytetin e Kukësit, ku u mbajt samiti i rektorëve të universiteteve shqipfolëse, ku merrnin pjesë rektorët e 19 universiteteve, prej të cilëve 3 nga Kosova, 2 nga Maqedonia dhe 14 nga Shqipëria. Samitin e përshëndeti Kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se ky takim mbahet në 130-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që është një nga ngjarjet më të mëdha e më përcaktuese në historinë tonë kombëtare. Berisha theksoi se Lidhja e Prizrenit, përvjetorin e së cilës ju keni zgjedhur ta mbani në këtë takim të rëndësishëm, ishte lidhja e platformës kombëtare të shqiptarëve. "Tani shqiptarët janë në shekullin e tyre, në shekullin e lirisë. Kjo është meritë e jashtëzakonshme e shqiptarëve, sepse në rast se në vitin 1912 për shkak të kryengritjeve në Kosovë e konjukturave të tjera në një pjesë të territoreve të vendit u shpall pavarësia, pjesa dërrmuese e shqiptarëve mbetën në pushtime, mbetën subjekt i platformave më të egra e barbare që kishin vetëm një synim: shfarosjen e tyre”, - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, ia kanë dalë në mënyrë të mahnitshme të ruajnë identitetin e tyre dhe shqiptarët hynë në këtë shekull të lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›