E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Ligj i ri për të sqaruar kompetencat e Presidentit

Me votë të fshehtë, Parlamenti do të votojë ditën e enjte dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së lartë. Në këtë mënyrë duket se mazhoranca është tërhequr nga vendimi për të votuar procedurat dhe jo dekretet. Vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, sqaroi dje se asnjëherë nuk është thënë se do të votohet raporti i Komisionit të Ligjeve për këtë çështje. Sipas saj, raporti është një dokument parlamentar që u dorëzohet dhe u shpërndahet të gjithë deputetëve e institucioneve, meqë jemi në rastin e një problemi që ekziston tashmë, të cilin Parlamenti duhet ta zgjidhë, pavarësisht nga një mospërputhje apo anashkalim që u është bërë ligjeve ekzistuese. "Ndaj dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të votohen në seancën e ditës së enjte (19 qershor), me votim të fshehtë". Kjo, pasi ditën e hënë, Kuvendi do të votojë për imunitetin e deputetit Fatmir Mediu. Menjëherë, në seancën e pasardhëse (e enjte), do të votohen dekretet, me votim të fshehtë, sikurse është vepruar gjithmonë”, - u shpreh znj. Topalli. Në një situatë të tillë kur institucioni i Kuvendit dhe Presidenca janë përfshirë nga një konflikt disaditor, kryetarja e Parlamentit, Topalli, shpreh nevojën e miratimit të një ligji për Presidentit. Për këtë, ajo ftoi opozitën që të paraqesë opsionet e saj lidhur me draftin. Ky ligj do të sqarojë një herë e mirë kompetencat e kreut të shtetit për mënyrën e procedimit me dekretet në të ardhmen që sipas kryeparlamentares të mos ketë më situata të ngjashme. Pavarësisht nisjes së shpejtë të punës për përgatitjen e ligjit, dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë kanë ngjallur së fundmi një debat të fortë mazhorancë-opozitë, ku kjo e fundit këmbëngul në votimin e tyre të shpejtë në Parlament. Ndërkohë, shumica është shprehur që për plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 18 janarit 2005, i cili interpreton Kushtetutën në rastet e emërimeve të reja në këtë organ të lartë të gjyqësorit. Kryetarja e Kuvendit lajmëroi dje votimin e dekreteve në seancën e së enjtes, duke zbardhur dhe procedurën e votimit, atë me votë të fshehtë.

“Më shumë gra në parlament në 2009-n”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë dje në ceremoninë e dhënies së certifikatave të Programit të NDI-së (Instituti Demokratik Amerikan për Punët e Jashtme), “Zhvillimi i Liderëve të rinj në Politikë”. Sipas saj, reforma kushtetuese do të jetë një mbështetje për përfaqësimin e grave në Parlament. Duke u fokusuar në reformat ligjore, që ndihmojnë rritjen e përfaqësimit të gruas në politikë, kryetarja Topalli tha se “besoj se tashmë që në Kuvend kemi kaluar reformën kushtetuese, kemi hapur një mundësi të re, një kapitull krejt të ri, për të bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të kemi tashmë një numër më të madh grash përfaqësuese në Parlamentin e ardhshëm shqiptar. Jemi në momentin e duhur për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e gruas në politikë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›