Ndoka: PDK po has pengesa në qeverisje
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, mori pjesë në konferencën e degës së PDK-së në Fier. Në fjalën e tij, ai tha se PDK është shndërruar në një faktor të rëndësishëm politik, përcaktues në zhvillimet më të rëndësishme politike në vend. Ndoka tha se alternativa kristian-demokrate, filozofia kristiane, koncepti kristian për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë, është alternativa që iu duhet shqiptarëve për të dalë nga kaosi moral dhe politik, është alternativa që u duhet shqiptarëve për të nxjerrë politikën nga spiralja e dhimbshme e konflikteve dhe e mosmarrëveshjeve me një impakt të rëndë në zhvillimin normal të vendit dhe integrimin euroatlantik të tij. Por ndërsa ka nënvizuar suksesin e partisë së tij në qeverisje, ai akuzoi partinë aleate, PD-në, se po i nxjerr pengesa. “Më duhet të theksoj se ky sukses në qeverisje i PDK-së ka zgjuar reagime të mbrapshta të segmenteve të caktuar politikës, që për fat të keq, janë pjesë e koalicionit qeverisës. Ne jemi sulmuar pa të drejtë në jo pak raste, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite po ndeshim pengesa në misionin tonë qeverisës. Në disa raste përfaqësuesit tanë janë shkarkuar pas asnjë të drejtë me motivin e vetëm se janë përfaqësues të PDK-së, kur mbahen në poste disa individë, që po e përdorin pushtetin e dhënë nga ne, për të dëmtuar PDK-në”, - tha Ndoka. Ai kërkoi që PD-ja të reagojë me maturi, të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me PDK-në dhe të japë kontribut konkret në ecurinë e reformave që kemi ndërmarrë në sistemin shëndetësor. Kreu i PDK-së, njëkohësisht ministër i Shëndetësisë, paralajmëroi se “PDK nuk do të pranojë të marrë asnjë kosto dështimi mbi vete, për shkak të qëndrimeve të pasinqerta të partnerëve tanë në koalicion, se ne me përgjegjësi të lartë morale dhe politike do të marrim vendimin e duhur, nëse këto pengesa dhe konflikte të pamotivuara dhe dashakeqe nuk zgjidhen në rrugë institucionale dhe në përputhje me marrëveshjen që kemi nënshkruar me PD-në”.