E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia ndalon Presidentin maqedonas të shkojë në Athinë

“Ngrijnë” marrëdhëniet mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe shkak ka qenë çështja e emrit të kësaj të fundit. Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, anuloi dje pjesëmarrjen e tij në samitin e shefave të shteteve të Evropës Juglindore që do të mbahet më 13 qershor në Athinë. Nëpërmjet një komunikate për mediat, kabineti i presidentit Cërvenkovski tha se arsyeja e vendimit për mospjesëmarrje në këtë takim të nivelit të lartë, është mosdhënia e pëlqimit nga autoritetet greke për uljen e avionit shtetëror të Maqedonisë në Athinë. Në komunikatë, gjithashtu bëhet e ditur se presidenca për një vendim të tillë ka qenë e njoftuar nga zyra greke në Shkup, ku nga e njëjta zyrë janë ofruar mënyra të tjera për arritjen e Presidentit Cërvenkovski në Athinë, propozime që nuk janë pranuar nga kabineti presidencial. Arsyet për moslejimin e uljes të avionit qeveritar janë të njëjta me ato që autoritetet greke ndaluan kompaninë ajrore MAT, për shkak të çështjes së emrit. Ftesa për Presidentin maqedonas ishte bërë nga homologu grek, Karolos Papulas dhe drejtori i përgjithshëm i UNESKO-s, Koiçiro Macura, që është si koordinues i këtij takimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›