E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toro: Rivlerësimi i vlerës së tokës do të ulë çmimin e kompensimit

Ish-pronarët reaguan menjëherë dje pas deklarimit të Kryeministrit Berisha se do të ketë një rivlerësim të vlerës së tokës. Ish-pronarët pretendojnë se kjo bëhet me qëllim që të ulen çmimet për kompensimin e tyre. Përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me drejtësi”, deklaruan dje se është antikushtetuese përcaktimi i çmimit të tregut nga qeveria dhe se një vendim i tillë do të shtojë përplasjen qeveri-individ në gjykatë. Përfaqësuesit e ish-pronarëve kundërshtuan edhe kriteret për ndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh që qeveria ka akorduar këtë vit në buxhet për kompensimin financiar të tyre. Ata u shprehën se këto financime janë shumë të ulëta krahasuar me borxhin që shteti u ka ish-pronarëve. Sipas ish-pronarëve, fatura financiare e kompensimit kap vlerën e 30 miliardë eurove. Ndërkohë që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave publikoi pak kohë më parë shifrën e kompensimit që sipas saj, vlerësohet në 4.4 miliardë euro. Pak ditë më parë, përfaqësuesi i kësaj shoqate, Reshit Vorpsi, deklaroi se vlera e kompensimit është shumë herë më e madhe. Por edhe kjo shumë është e papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe e bën të pamundur angazhimin e qeverisë për mbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave brenda vitit 2014. Kjo, duke parasysh fondin prej 5 milionë dollarësh që qeveria akordon çdo vit për ish-pronarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›