Mustafaj: “Shqipëria në NATO”, jo vetëm tur i Berishës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, kërkon përfshirjen e të gjithë stafit qeveritar në turin “Shqipëria në NATO”. Z. Mustafaj kritikoi dje faktin që ky tur po bëhet vetëm nga Kryeministri, duke shmangur pjesën tjetër të kabinetit. Sipas tij, kjo ndodh se “Berisha ndihet i shqetësuar nga imazhi i qeverisë dhe i vetëm nuk mund ta përmirësojë atë”. Z. Mustafaj konstaton se “ka gjetur një kënd që ta synojë dhe të punojë për ta përmirësuar këtë imazh, por gjithsesi, kjo nuk bëhet vetëm me Berishën”. “Dua të them se Berisha i vetëm nuk ka asnjë mundësi ta përmirësojë imazhin e qeverisë, pavarësisht nga funksionet që ka si Kryeministër dhe si kryetar i kësaj mazhorance. Ne, në këtë nismë, në këtë paraqitje të rezultateve të qeverisë, duhet të shohim ansamblin e qeverisë dhe qeveria nuk po funksionon si ansambël, ka shpesh kakofoni, të cilat nuk i shërbejnë as imazhit dhe as rezultatit të qeverisjes”, - deklaroi z. Mustafaj. Po dje deputeti i PD-së foli dhe për imunitetin e ish-ministrit Fatmir Mediu, duke kërkuar që të mos keqpërdoret. Duke iu referuar heqjes së imunitetit të Mediut për ngjarjen e Gërdecit, Mustafaj pohoi se i druhet një keqpërdorimi nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa e cilësoi aktin e dorëheqjes si integritet moral e politik të një politikani të vjetër.