Biznesi i vogël, replika mes Berishës dhe Ramës për rritjen e taksave
Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, debatuan dje në distancë mbi taksat e biznesit të vogël dhe akuzuan njëri-tjetrin se po i rrisin taksat në kohë krize. "Qeveritarët vendorë po rrisin taksat në kurriz të biznesit të vogël, duke dëmtuar qytetarët në kohë krize", njoftoi zyra e shtypit e qeverisë. Qeveria tha se disa bashki kanë rritur "taksat e biznesit të vogël" me anë të "tarifave të përkohshme" pa dhënë shpjegime konkrete. "Kryeministri Berisha zhvilloi një konsultë me ministrin e Financave për kufizimin e abuzimeve nga qeveritarët vendorë në kurriz të biznesit të vogël", tha zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani. Një shpjegim krejt të kundërt dha Edi Rama në rolin e kryebashkiakut. Rama u takua me një bukëpjekës në Tiranë, të cilit i shpjegoi se qeveria ka vendosur t‘ia dyfishojë taksat, duke detyruar biznesin e vogël të paguajë tatim fitimi. "Taksat vjetore të tuat ishin 85 mijë lekë në vit, ndërsa unë i ula me 30%, maksimumi që më lejon ligji", tha Rama. "Por që nga 1 marsi, ministri Bode ka urdhëruar biznesin e vogël të mbajë bilanc dhe të paguajë tatim fitimi", vijoi ai. Sipas kreut të opozitës, kjo masë nënkupton se taksat reale që do të paguajë biznesi i vogël do të dyfishohen. "Nëse ti fiton 9 milionë lekë (të vjetra) në vit, atëherë detyrohesh të paguash 10 për qind tatim fitimi, pra taksat e tua dyfishohen", tha Rama. Vetëm në Tiranë ka 16 mijë njësi të biznesit të vogël. Kjo kategori biznesi paguan taksa të ndryshme, ku përfshihen detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore, taksat vendore dhe taksat e biznesit të vogël që kanë filluar të mblidhen nga bashkitë dhe komunat. Të ardhurat nga këto taksa në buxhetin e shtetit zënë vetëm dy-tre për qind të të ardhurave totale buxhetore. Klasifikimin si biznes i vogël e merr çdo aktivitet tregtar apo prodhues, që ka një xhiro vjetore jo më të madhe se 8 milionë lekë. Teorikisht ky lloj biznesi paguan një tatim mbi xhiron prej 2%. Praktikisht paguhet një taksë fikse çdo vit. Sasia e taksës varet nga lloji i aktivitetit. Mesatarisht deri më sot biznesi i vogël është detyruar të paguajë në total rreth 250 mijë lekë (të rinj) në vit, detyrime që mbajnë emra të ndryshëm formalë përballë autoriteteve.