Presidenti për gjakmarrjen: Të koordinojmë institucionet
Shteti duhet ta koordinojë më mirë punën e tij me institucionet kryesore për të luftuar fenomenin e gjakmarrjes. Kështu u shpreh dje Presidenti Bamir Topi, i cili kërkoi ndëshkim të ashpër ndaj atyre që ndikojnë në zgjerimin e këtij fenomeni. "Unë gjykoj se ne kemi nevojë për një vlerësim të ri të fenomenit, të përmasave të tij, faktorëve që e nxisin, apo promovojnë atë dhe masave që duhen ndërmarrë për ta luftuar këtë fenomen. Çdo institucion ligjor e kushtetues ka përgjegjësi dhe detyra konkrete të caktuara nga ligji integral i tyre", nënvizoi Topi. Në këndvështrimin e numrit një të vendit, shteti ka detyrë ekskluzive të zbatojë ligjin ndaj kujtdo që vret, kujtdo që sulmon jetën dhe lirinë e tjetrit, apo kujtdo që kërcënon jetën e tjetrit. Kjo përgjegjësi, tha ai, është në radhë të parë e Policisë së Shtetit, e organeve të drejtësisë dhe e pushtetit vendor.