E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet ligji për ish-të përndjekurit

Projektligji për dëmshpërblimin e ish të dënuarve nga regjimi komunist shkaktoi mjaft debate dje në sallën e Kuvendit mes opozitës dhe mazhorancës. Por, pavarësisht këtij debati, mazhoranca miratoi në parim me 69 vota pro dhe 19 kundër nismën e propozuar nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati. Votimi në tërësi realizohet javën e ardhshme. Opozita u shpreh kundër këtij projektligji, duke theksuar se nga ai po përfitojnë kolaboracionistët dhe nuk është saktësuar fatura e dëmshpërblimit që do të akordojë qeveria për këtë shtresë. Në momentin e votimit, deputetët socialistë u larguan nga seanca, duke mos pranuar të votojnë. Ndërkohë që mazhoranca e vlerësoi si të rëndësishëm dhe të domosdoshëm miratimin e këtij projektligji. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i kujtoi Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që për paraqitjen e këtij projektligji në Kuvend janë shkelur të gjitha procedurat që ndiqen në kushte normale, ndaj ajo ka kërkuar që seanca të ndërpritet për pesë minuta për t‘i rishikuar këto procedura. Ky propozim nuk është pranuar nga kryeparlamentarja, e cila vijoi diskutimin normal të tij. Deputetët e PD-së e vlerësuan si të domosdoshëm këtë projektligj dhe Kryetarja e Kuvendit, Topalli, duke iu kundërvënë deputetëve të PS-së, theksoi se "jam jashtëzakonisht e kënaqur që katër ditë para anëtarësimit në NATO ne po kalojmë këtë ligj, i cili ka të bëjë me një detyrim moral të një shtrese, që kanë paguar me jetë për fëmijët e tyre, për këtë që ne po kalojmë sot". Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, kërkoi që e gjithë qeveria të ishte në Parlament për ta mbrojtur këtë ligj. Majko tha se i gjithë thelbi i debatit në komision të ligjeve mes pozitës dhe opozitës ka pasur lidhje me dënimin e krimeve të luftës, ku thelbi i diskutimit, nga ana e opozitës, ka qenë te ligji i vitit ‘46, ku mazhoranca kërkon të dëmshpërblejë bashkëpunëtorët me okupatorin dhe tradhtarët e vendit. Majko sqaroi se opozita është dakord që dëmshpërblimin ta marrin të gjithë ata që e meritojnë, por jo ata që kanë tradhtuar luftën e shqiptarëve. Pas debateve me tone të ashpra nga deputetët e mazhorancës dhe më shumë të opozitës, Kryetarja e Kuvendit kërkoi ndërprerje për pak minuta të seancës parlamentare e tmerruar, siç u shpreh ajo, nga ato çfarë u tha në sallë. Pas ndërprerjes, në sallën e Kuvendit erdhi Kryeministri Berisha, i cili mori fjalën, duke e vlerësuar projektligjin e paraqitur nga deputetët e mazhorancës. Sipas Berishës, me këtë vendim që merr Kuvendi, më së shumti mazhoranca shkon drejt moralit të këtij Parlamenti, duke vendosur të mos dallojë asnjëri. "Unë, tha Berisha, jam i vetëdijshëm se fatura nuk është e thjeshtë, por do të ishte më e rëndë nëse ata do të mbikalohen". Me miratimin e këtij ligji, u shpreh Berisha, bëhet një akt i madh njerëzor. Sipas tij, trillimi se po shpërblejmë kriminelë lufte është keqdashës, pasi vijoi Kryeministri, nuk po shpërblejmë asnjë kriminel lufte, por po shpërblejmë viktimat e krimit kundër njerëzimit.

NATO

Balla e Topalli,

replika në Kuvend

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, replikoi dje në Parlament me deklaratën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, se opozita ka nxirë anëtarësimin e vendit në NATO. Gjatë fjalës së tij, deputeti Balla deklaroi se "zonja Topalli na akuzon ne se kemi nxirë anëtarësimin në NATO, por ne sot nuk do të ishim në NATO pa angazhimin tonë solemn për reforma dhe konsensus". "Unë e di, zonja Topalli, vijoi Balla, që fraza juaj e preferuar është ‘plumbi ballit", por në NATO nuk shkohet me mallkime. Dhe plumba janë ato që shkaktuan shpërthimin. Ne jemi këtu për t‘u shërbyer shqiptarëve tani si opozitë, më 28 qershor si qeveri", tha ai. Nga ana e saj, Topalli deklaroi se anëtarësimi në NATO ka ardhur si rezultat i punës së qeverisë, duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së Ballës. "Pas 4 ditësh do të jemi anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Kjo ka qenë një rrugë e vështirë. Kërkoi kryetarit tënd që ta përshëndesë anëtarësimin", deklaroi Topalli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›