E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inauguron rrugën Levan-Tepelenë

Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e segmentit Levan-Tepelenë nga Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Seksioni Levan-Tepelenë paraqet një rrugë me gjatësi 70 km, 60% e së cilës do të jetë aks i ri dhe 40% do të jetë përmirësim i rrugës ekzistuese. Ky segment është projektuar me dy kalime, sipas standardeve evropiane të rrugëve nacionale. "Përveç përfitimeve direkte në shkëmbimin transit të mallrave drejt qendrave të banuara në Jug e më tej drejt Greqisë dhe anasjelltas, rruga e re do të sjellë një lidhje më të mirë me zonën dhe pjesën tjetër të vendit", tha Berisha.

Segmenti rrugor, Levan-Tepelenë, është pjesë e Korridorit Veri-Jug që shtrihet nga Hani i Hotit në kufirin shqiptaro-malazez në veri, deri në Kakavijë në kufirin shqiptaro-grek në Jug. Gjerësia e asfaltuar e rrugës do të jetë 10.5m (2 korsi me 3.75m dhe 2 bankina me 1.5m). Punimet në seksionin e parë Levan-Damës do të kryhen nga një firmë italiane, ndërsa për seksionin e dytë nga Damës në Tepelenë do të kryhen nga një firmë austriake. Punimet e ndërtimit për këtë aks do të zgjasin 30 muaj dhe do të përfshijnë ndërtimin e 50 urave. Shpejtësia e parashikuar varion nga 80 deri në 100 km/h.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›