E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi hedh në gjyq ish-sekretaren


Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka reaguar menjëherë lidhur me dëshmitë që janë bërë pas emrit të tij gjatë kohës kur ai ishte ministër i kabinetit "Berisha". Bumçi, i cili mban aktualisht postin e zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së, por është edhe një prej kandidatëve më favorit për kryetarin e ri të demokratëve në Tiranë, bëri me dije se nuk ka pasur asnjë kontakt me djalin e Kryeministrit gjatë kohës kur ai ishte ministër. Ish-ministri Bumçi paralajmëroi dje se do të çojë në prokurori padinë për të vendosur në vend emrin e tij. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, përmes një konference për shtyp, bëri të ditur se do të paraqesë në prokurori një padi penale për dëshmi të rreme ndaj personit të tij. "Nesër (sot) do të dorëzojë padi penale në prokurori për dëshmi të rreme. Unë i kam shërbyer vetëm ligjit dhe jo interesave private", u shpreh Bumçi. Sipas tij, në kohën kur ka qenë ministër nuk ka pasur asnjë kontakt me djalin e Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ndërsa thekson se "shkrimi i vendosur në dokumente nuk është aspak i imi dhe se kjo gjë mund të jetë lehtësisht e vërtetueshme". Për shkresën në fjalë, e cila ishte mendim i Ministrisë së Drejtësisë për projektvendimin e qeverisë për procedurën e trajtimit të armëve të hequra nga përdorimi, ish-sekretarja e ish-ministrit Bumçi i ka dëshmuar prokurorisë se ajo ka çuar faksin me shënimin përkatës në Ministrinë e Mbrojtjes, se këtë shkresë ia ka dhënë ministri Bumçi dhe se te shënimi me dorë ka njohur shkrimin e ish-ministrit të Drejtësisë. Menjëherë pas këtij qëndrimi, ish-ministri Bumçi ka reaguar, duke mohuar gjithçka dhe theksuar se do të ndjekë rrugën ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›