Rama: Berisha, demagogji me pagat dhe pensionet
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar demagogji të Kryeministrit vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve në prag të këtyre zgjedhjeve. Rama ishte në qytetin bregdetar të Vlorës për të prezantuar edhe aty programin e ri qeverisës të socialistëve. Rama foli për një Shqipëri që zhvillohet e gjitha njësoj, për një Shqipëri që të jetë vërtet e zhvilluar në fshat e në qytet, jo më me zhvillim të diferencuar, ku ca janë të nënës dhe ca janë të njerkës. "Kryeministri bashkë me ministrat e të tjerët u tregojnë grafikët e rritjes së rrogave. Me rrogat e rritura të Sali Berishës, çuditërisht blejnë më pak se ç‘blinin përpara se Sali Berisha të bëhej Kryeministër", tha ai. Më tej kreu i PS-së zbardhi disa prej pikave të programit qeverisës të PS-së. "Dy projektet e mëdha për të cilat unë do të angazhohem me mish e me shpirt për Vlorën, do të jenë fillimi i ndërtimit të një porti evropian dhe fillimi i punës për një universitet evropian për Vlorën", deklaroi ai. Apeli i Ramës nga Vlora për të gjithë Shqipërinë ka qenë për t‘ju bashkuar politikës së re të Partisë Socialiste, e cila nuk do qeverisë më e veçuar nga njerëzit, por në konsultim të përhershëm me ta, për të qenë një qeverisje me qytetarët dhe për qytetarët.