E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish negociata, Berisha nuk e "lëshon" Dulen

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vazhdon dilemën nëse do të bëjë fushatë me të majtën, apo me të djathtën në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e ka pasur të vështirë për të mbledhur mendjen se ku do ta mbështesë kokën gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Vendimi përfundimtar i PBDNJ-së do të vijë sot pas negociatave mes Partisë Demokratike dhe Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Strukturat e larta drejtuese të PBDNJ-së janë përballur dje me një mbledhje maratonë, në të cilën ka ndërhyrë indirekt edhe Kryeministri Sali Berisha. Deri mesditën e djeshme, kryesia e PBDNJ-së kishte marrë vendimin të shkëputej përfundimisht nga koalicioni me Partinë Demokratike, duke hedhur në diskutim dy variante, ose të bashkoheshin pranë së majtës, ose të dilnin të vetëm në zgjedhje, duke u rrezikuar në këtë mënyrë nga "penalizimi" i Kodit të ri Elektoral. Biseda telefonike mes kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, por edhe kryebashkiakut Vasil Bollano bëri që Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të mbledhë sërish në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kryesinë e saj për të rishikuar pozicionimin e saj në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e PBDNJ-së vendosi që kryetari i kësaj partie të vazhdojë gjatë ditës së sotme negociatat e fundit me Kryeministrin Berisha dhe më pas të përcaktojë pasditen e ditës së sotme rreth orës 16:00 verdiktin përfundimtar se me cilin koalicion do të përfshihen në këto zgjedhje. Kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, ka kërkuar që të mos ndërpritet bashkëpunimi me Partinë Demokratike, ndërkohë që ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, i cili është edhe në krye të listës së PBDNJ-së në Qarkun e Tiranës, kërkoi firmosjen e koalicionit me të majtën. Në fillim të mbledhjes, kryesia e PBDNJ-së ka pasur përplasje dhe tension lidhur me faktin se me cilën forcë do të bëjë koalicion, dhe situata e "agravuar" ka qëndruar deri në përfundimin e mbledhjes, e cila ka vazhduar edhe në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i ka mëshuar fort idesë për ta mbajtur mirë me të dyja forcat politike, duke rrezikuar dhe dalë në zgjedhjet e 28 qershorit të vetëm si forcë politike, pa pranuar koalicionin me PD-në apo me PS-në.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›