E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inauguron rrugën e pambaruar Durrës-Kukës, për efekt elektoral

Kryeministri Berisha dhe homologu turk Erdogan inaugurojnë aksin Rrëshen-Kalimash
Kryeministri i vendit inauguron për herë të dytë rrugën Durës-Kukës, megjithëse kjo rrugë është ende e papërfunduar. Fushata elektorale po e kthen në karagjozllëkun e radhës inaugurimin e kësaj rruge kaq të përfolur që ka ndarë në mes shqiptarët, në një palë që e konsideron vjedhje të shekullit dhe pjesa tjetër në rrugë patriotike. Në fakt pavarësisht resurseve që sjell kjo rrugë, abuzivizmi i Sali Berishës me inaugurimet dhe keqpërdorimi i këtyre inaugurimeve po i humbasin vlerën reale punëve që kjo qeveri ka bërë. Shfrytëzimi i kryeministrit turk Erdogan për të inauguruar këtë rrugë, e cila realisht është e pambaruar dhe do thuajse edhe një vit për tu dorëzuar me çelësa në dorë takspaguesve të cilët kanë investuar, solli kulmin e keqpërdorimit të pushtetit të Sali Berishës gjatë kësaj fushate. Kryeministri i vendit në vend të paraqesë një program për zgjidhjen e krizës përpara shqiptarëve mundohet të krijojë imazhin e një njeriu që i ka dhuruar shqiptarëve, rrugën Durrës-Kukës, internetin në shkolla, spitale dhe 6000 kilometër rrugë, kur në fakt janë lekët e shqiptarëve të cilat janë marrë o nga taksat, o nga borxhet të cilat do shlyhen nga vetë shqiptarët. Kryeministri i vendit nëpërmjet kësaj fushate të shpifur inaugurimesh e ka kthyer fushatën e tij në një rezyme suksesesh false duke mos ju premtuar asgjë të re për katër vitet e ardhshme të qeverisë së tij nëse vjen në pushtet.
Berisha-Erdogan presin shiritin e rrugës së pambaruar
Kryeministri Berisha dhe kryeministri turk Reçep Taip Erdogan kanë përuruar dje përfundimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të këtij aksi të rëndësishëm rrugor për Shqipërinë, Berisha shfrytëzoi rastin për ti shprehur kryeministri turk Erdogan falënderimet më të sinqerta për pjesëmarrjen e tij në një ditë të shënuar për kombin shqiptar dhe për të gjithë rajonin në tërësi, siç është inaugurimi i korridorit Durrës-Kukës-Morinë. Sot ne inaugurojmë korridorin e kombit, autostradën Rrëshen-Kalimash, e cila përbën veprën më të madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës, për mbarë kombin shqiptar. Korridori i kombit është korridori që i jep fund ndarjes në mes të trupit të kombit shqiptar, deklaroi Berisha. Ai theksoi rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i kësaj rruge, ku sipas tij tani Shqipëria i ka afruar shqiptarët akoma dhe më shumë rreth vetës, ku largësia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm 3 orë. Berisha theksoi se ky korridor për nga përmasat  e tij vetëm në segmentin Rrëshen Kalimash tejkalon 4 deri në 5 here HEC e Fierzës dhe mbi 2,8 here tërë kaskadën e Drinit.Berisha theksoi se të gjithë ata të cilët të nisur nga shqiptarofobia bënë çdo gjë për të penguar ndërtimin e kësaj rruge do ti sigurojë se shqiptarët udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit dhe se ky korridor do tu shërbejë jo vetëm shqiptarëve por të gjithë popujve të rajonit, maqedonasve, serbëve, boshnjakëve, bullgarëve  dhe të gjithë të tjerët. Berisha theksoi se rruga, urat dhe tuneli i saj do të shndërrohen në një faktor të madh të bashkëpunimi, integrimit rajonal dhe evropian. Korridori i kombit është nderimi më madh për ata qindra e mijëra  burra e gra shqiptare që ranë, për të pushuar përjetë në altarin e lirisë së kombit,  që flijuan jetën e tyre, për liri dinjitet e bashkim kombëtar. Korridori i kombit është vepra më e madhe e ndërtuar nga ky komb në tërë historinë  e tij, theksoi Berisha. Ai ju drejtua banorëve të Kosovës se ndërtimi i kësaj rruge do të thotë fundi i vuajtjes për ta dhe është fryti i vuajtjeve dhe luftrave të tyre heroike për shpalljen e pavarësisë së vendit të tyre. Korridori i kombit është dëshmia e madhështisë së lirisë, i ndërtuar këtu, në terrenin ndoshta më të vështirë të planetit, nga njëri prej kombeve që vetëm 18 vite me parë, renditej ndër tre apo katër më të varfrit në botë, i ndërtuar në një kohë rekord filloi në shkurtin e viti 2007 dhe përfundoi në qershorin e vitit 2009, dëshmoi se për kombet  e lira e pamundshmja behet  e mundshme. Sot ne përjetojmë shndërrimin në realitet të një ëndrre shekullore të shqiptarëve, deklaroi Berisha. Ndër të tjera ai theksoi se ky korridor është ndërtuar për dy vjet dhe pakë muaj dhe është vepra më e madhe publike e të tëra kohërave të ndërtuara ndonjëherë nga shqiptarët. Gjithashtu Berisha duke ju drejtuar popullit shqiptar bëri një rezyme të punës së tij, ku theksoi se gjatë mandatit të parë qeverisës së PD dhe qeverisë së tij u dyfishuan të gjitha pensionet e fermerëve shqiptarë,. U dyfishuan rrogat, gjithashtu ai përmendi dhe ndërtimin e 6000 km rrugë të ndërtuara nga qeveria e tij në këtë mandat të parë qeverisës. Një mirënjohje të thellë ndaj jush qytetarë shqiptarë, ndaj taksapaguesve shqiptarë, ndaj miqve tanë kudo në botë për mbështetjen e madhe që na dhanë tha Berisha. Në fund të fjalës së tij Berisha falënderoi edhe një herë firmën amerikane Bektel dhe atë turke Enka, për punën e mrekullueshme që kanë bërë, gjithashtu falënderoi dhe kryeministrin turk Erdogan për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

*******************************************************************************************************
Erdogan: një rrugë që kalon përmes malesh është më shumë se qytetërim
Kryeministri turk Reçep Taip Erdogan gjatë vizitës së tij në Shqipëri me rastin e inaugurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, theksoi dhe falënderoi qeverinë dhe popullin shqiptar për ftesën që i kishin bërë në një festë të tillë para zgjedhjeve. Për mua dhe për kolegët e mi ishte lumturi që u ndodha mes njerëzve të mirë të Shqipërisë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Ne jemi të kënaqur që firma jonë turke Enka e ndërtoi këtë rrugë bashkë me firmën amerikane Bektel. Ne jemi të lumtur që u realizua një praktikë e tillë e suksesshme, e cila do të lidhë vendet ballkanike me njëri-tjetrin, deklaroi Erdogan. Ai tha se tashmë dihet që rruga është qytetërim, dhe se një rrugë që kalon përmes malesh është akoma edhe më shumë. Sipas Erdogan është tepër kuptimplotë fakti që ky investim gjigand është bërë në një autostradë madhështore e cila kalon përmes malesh. Këto 6 vitet e fundit, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë po zhvillohen në të gjitha fushat, në fushën politike, ekonomike, kulturore. Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe po të shohim shumë kushërinj të shqiptarëve banojnë në Turqi, ose shumë turq kanë kushërinjtë e tyre në Shqipëria dhe anasjelltas dhe këto fuqizojnë akoma më shumë lidhjet tona. Aktualisht ne jemi bashkë me Shqipërinë në NATO. Anëtarësimi në NATO është rezultat i punës dhe luftës që ka bërë vetë Shqipëria për të arritur këtë qëllim, u shpreh Erdogan. Ai tha se Turqia po ndjek çdo hap dhe përpjekje që po bën Shqipëria për hyrjen në Bashkimin Evropian. Erdogan përmendi edhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri, i cili sipas tij është për tu vlerësuar dh për tu përgëzuar dhe se po ecën në një mënyrë shumë pozitive. Siç e tha zoti Kryeministër, vëllimi tregtar midis dy vendeve para 6 viteve ishte 35 milion dollarë, sot ka kaluar 350 milion, por duam që kjo shifër të jetë akoma më e lartë, sepse shikojmë që mes nesh ka mundësi për këtë. Turqia do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje me Shqipërinë, mike dhe motër. Mes nesh nuk ka asnjë problem politik dhe ne jemi të vendosur të punojmë në solidaritet me njëri-tjetrin, theksoi kryeministri turk Erdogan. Ndër të tjera ai foli dhe për zgjedhjet elektorale të 28 qershorit në Shqipëri, ku uroi që zgjedhjet në Shqipëri të kontribuojnë dhe ti japin një ndihmë të madhe vendit tonë për të bërë një hap më përpara për të plotësuar standardet, gjithashtu ai uroi që të gjendet gjuha e përbashkët ndërmjet të gjithë shqiptarëve. Unë kam bindjen se këto zgjedhje do ta fuqizojnë akoma më shumë demokracinë në Shqipëri. Në emrin tim dhe në emrin e të gjithë popullit tim, përshëndes të gjithë njerëzit e mirë të Shqipërisë, deklaroi Erdogan. 
Last Updated on Friday, 26 June 2009 03:12

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›