E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS krijon konflikt me policinë, për mitingun e mbylljes së fushatës

Islami: Ky është incidenti i radhë së fushatës, policia ndërhyri me urdhër politik
Partia Socialiste denoncon bllokimin e punimeve për mitingun e sotëm nga ana e policisë. Dhjetëra forca policore nuk lejojnë ngritjen e skenës së mitingut përpara selisë së Kryeministrisë me pretendimin se leja për ngritjen e saj është dhënë për datën 26 qershor. Sipas përfaqësuesve të selisë rozë, ky është presion i qeverisë për të mos lejuar mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste. Ndërsa PS po bënte përgatitjet për të zhvilluar mitingun mbyllës para Piramidës, një furgoni të policisë nuk i ka lejuar punëtorët të bëjnë ngritjen e skenës. Në vendngjarje ka mbërritur edhe zv.drejtori i policisë së Tiranës i cili është përfshirë në një konfrontim verbal me anëtarin e kryesisë së PS, Fatmir Xhafaj. Vocaj ka këmbëngulur se platforma duhet të ngrihet nesër, ndërsa Xhafaj ka ritheksuar se PS do të ruajë skelat gjatë gjithë natës. Partia Socialiste e ka quajtur këtë një presion të hapur të qeverisë, ndërkohë që përfaqësuesit e saj, në shesh, mes tyre edhe deputeti Fatmir Xhafaj, kanë debatuar me forcat policore. Xhafaj ka treguar kërkesën e PS drejtuar policisë që shënon datën 17 qershor, ndërkohë që ka kërkuar të verifikohet se çfarë date mban kërkesa e PD-së për mitingun e saj. PS ka deklaruar se e ka bërë lejen që në datën 17 qershor, kurse policia sqaron se leja për ngritjen e skelës është vetëm për datën 26 qershor dhe jo sot. Kastriot Islami e ka quajtur gjithë këtë një urdhër politik të Berishës për të penguar socialistët, ndërkohë që ka theksuar se policia po përdoret me urdhra politikë. Në datën 17 qershor ne bëmë kërkesë për manifestimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit' dhe në bazë të ligjit brenda 24 orëve nëse policia do kishte vërejtje duhet të përgjigjej. Përgjigja erdhi vetëm në datën 24, pasi ishte ezauruar koha. Këta janë përgjigjur dhe dhënë arsyetime për moslejimin e mitingut të PS në këtë zonë, u shpreh Islami. Sipas tij, forcat policore kanë kërcënuar punëtorët që të mos bëjnë ngritjen e platformave. Islami shton më tej se imazhi i policisë me këtë veprim është goditur rëndë dhe se policët nuk duhet të bëhen pjesë e kësaj ndërhyrjeje politike. Arsyeja është politike, sepse vetë policët shprehen se po luani me fatin tonë, ne jemi thjesht viktima. Ne do marrim punëtorët në mbrojtje dhe manifestimi do të bëhet në zbatim të ligjit. Kanë ardhur vëzhguesit e OSBE-ODIHR, të cilëve ia kemi bërë prezent shqetësimin. I gjithë ky është urdhër i Berishës, ndërkohë që ministri Bujar Nishani, që e kemi njoftuar nuk është përgjigjur në telefon, përfundon ai.
Bllokimi i mitingut të PS nga policia e Berishës                                                         Policia e Berishës bllokon përgatitjet për mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste ditën e nesërme. Dhjetëra forca policore nuk lejojnë ngritjen e skenës së mitingut përpara selisë së Kryeministrisë. Partia Socialiste denoncon skandalin si presion të qeverisë për të mos lejuar mitingun ndërsa policia pretendon se skela për mitingun duhet të ngrihet vetëm gjatë ditës së nesërme. Sipas PS, leja për ngritjen e skenës është marrë që në datën 17 qershor dhe theksojnë se veprimet e policisë janë përpjekje për të bllokuar përgatitjet e mitingut përmbyllës të socialistëve, mbrëmjen e sotme. Ndërkaq, në vendngjarje ka pasur debate të shumta mes forcave të policisë dhe anëtarëve të Partisë Socialiste të cilët janë detyruar të ndërpresin punimet për ngritjen e skelës. Sipas policisë leja për fillimin e përgatitjeve për mitingun e madh përmbyllës të fushatës është dhënë për në datën 26 qershor. Ndërkaq në bulevardin Dëshmorët e Kombit ku është planifikuar mitingu i Partisë Socialiste kanë mbërritur shumë përfaqësues të selisë rozë. Përfaqësuesit e PS-së kanë bërë të ditur se policia ka ushtruar presion ndaj punonjësve të ngritjes së skelave duke i kërcënuar se do të shoqërohen në komisariat nëse nuk zbatojnë urdhrin.

***********************************************************************
Përgjigja e policisë për mitingun e socialistëve
Pas kërkesës së Partisë Socialiste për zhvillimin e mitingut, policia është përgjigjur, duke mos lejuar mbajtjen e mitingut në hapësirën e kërkuar prej PS-së. Në përgjigjen e policisë, për shkak se PD-ja zhvillon në të njëjtën orë miting në sheshin Skënderbej, PS-ja lejohet të zhvilloje mitingun e saj në sheshin "Nene Tereza" dhe "Dëshmorët e Kombit", deri aty ku ndan rruga "Ismail Qemali". Ndërkohë, që socialistët kishin kërkuar shtrirjen e mitingut deri në afërsi të Galerisë së Arteve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, policia e Tiranës duke iu drejtuar Partisë Socialiste, sqaron këtë mosmarrëveshje, duke e lidhur moszhvillimin e mitingjeve të dy forcave të mëdha politike në të njëjtin orar me pamundësinë që policia ka për menaxhimin dhe bllokimin e turmave të përmasave të mëdha. Për faktin se tubimi juaj ka shtrirje nga godina e kryeministrisë deri te galeria e Arteve. Për faktin se në të njëjtin orar zhvillohet tubimi i PD-së në sheshin Skënderbej. Mundësinë e pjesëmarrjes së një numri të konsiderueshëm simpatizantësh të dy forcave. Rrezikun e cenimeve të rënda të rendit publik si rezultat i afërsisë së vendeve të zhvillimit të tubimeve. Domosdoshmërinë e zhvillimit normal të mitingjeve, thuhet në deklaratë. Ndër të tjera, sipas kësaj deklarate mësohet se nisur nga këto kushte, policia e Tiranës ka vendosur të ndalojë zhvillimin e tubimit në vendin e kërkuar nga ana e Partisë Socialiste me shkresat e datës 17 dhe 25 qershor. Të lejoj dhe garantoj zhvillimin normal të tubimit të kërkuar nga ju në sheshin "Nënë Tereza dhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" deri te kryqëzimi i këtij bulevardi me rrugën "Ismail Qemali" në të njëjtën orë dhe datë të kërkuar nga ju, përfundon deklarata e policisë së Tiranës, drejtuar Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›