E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vula në fletën e votimit, strategjia e fundit e PD për të manipuluar zgjedhjet

Mënyra e vulosjes së fletës së votimit në ditën e zgjedhjeve, është strategjia më e fundit që do të praktikojë Partia Demokratike për të manipuluar vullnetin e shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Pasi Berisha i ka përdorur të gjitha mënyrat për të vjedhur votat, tani mundësia e fundit i ka mbetur kutitë e votimit. Anëtarët dhe kryetarët demokrat të Qendrave të Votimit në të gjithë vendin, janë porositur që me çdo kusht ti nxjerrin të pavlefshme fletët e votimit të votuesve të majtë apo të partive të tjera kundërshtare. Meqenëse, anëtarët e Qendrave të Votimi dhe të KZAZ i identifikojnë qytetarët që votojnë kundër Partisë Demokratike, fletët e votimit të këtyre të fundit do të vulosen në atë mënyrë që të cilësohen si të parregullta. Për mënyrën e vulosjes së fletës më qëllim që ajo të cilësohet e pavlefshme nga grupi i numërimit të votave, mësohet se do të praktikohen disa mënyra, si vulosje të fletës në mënyrë të pjesshme, duke e vulosur fletën shumë lehtë që të shikohet me vështirësi dhe duke mos e vulosur fare. Natyrisht, kjo praktikë kuptohet se bëhet për të nxjerrë sa më shumë të jetë e mundur vota të pavlefshme të partive kundërshtare. Megjithatë, një praktikë e tillë për të manipuluar votat e 28 qershorit nuk është strategji vetëm e demokratëve, por edhe e socialistëve. Meqenëse Kodi Zgjedhorë favorizon edhe Partinë Socialiste për të kontrolluar procesin zgjedhorë, mësohet se edhe socialistët janë përgatitur që ta ndjekin një praktikë të tillë me fletët e votimit, ku me anë të vulosjen shumë fletë votimi që kanë shkuar për partitë e vogla do të nxirren të pavlefshme. Gjithsesi rreziku më i madh zgjedhjeve u vjen nga Berisha, pasi ky i fundit përveçse është në pushtet, ka një traditë të lavdishme në taktikat e manipulimit të zgjedhjeve. Meqenëse këtë herë nuk mund ti vjedhë më votat nga kutitë e votimit ashtu siç bëri në vitin 1996, pasi këto zgjedhje janë nën një presion të madh të ndërkombëtarëve, tani Berisha po mundohet ti manipulojë me mjete më pak të dukshme. Ndonëse përdori të gjitha mjetet e mundshme që të jep pushteti, si pajisjen me karta në mënyrë selektive, përdorimin e administratës shtetërore në fushatë, blerjen e votave, presion me heqje nga puna nëse nuk deklarohet vota për PD duke e fotografuar me celular, gënjeshtrat për legalizimet dhe integrimin në BE etj., sërish nuk ndjehet i sigurt, ndaj praktika për të nxjerrë të pavlefshme fletët e votimit, do ta qetësonte nga ethet e pushtetit. Manipulimi i votave me anë të fletës së votimit, sinjalin e parë e ka dhënë që ditën e djeshme, ku KQZ miratoi rreth 700 fletë votimi për të burgosurit, pa vullnetin e socialistëve.   

Last Updated on Friday, 26 June 2009 03:20

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›