E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrijnë në Durrës dhe Gjirokastër materialet e KQZ për zgjedhjet

Materialet zgjedhore për votimet e 28 qershorit kanë mbërritur dje paradite në të katër Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor të Qarkut të Durrësit. Inspektori i Zyrës Rajonale Zgjedhore, Bujar Sefa, tha se ky proces ka përfunduar në pallatin e sportit Ramazan Njala dhe në shkollën Naim Frashëri të qytetit, ku janë instaluar KZAZ nr. 8 dhe 9 të Durrësit, si dhe në sallat e Pallateve të Kulturës së Shijakut dhe Krujës, ku janë vendosur përkatësisht KZAZ nr. 10 dhe 11. Sipas tij, tashmë materiali zgjedhor po inventarizohet dhe po përgatitet për tu shpërndarë të shtunën paradite në të gjithë qendrat e votimit të qarkut, sipas zonave përkatëse. Tashmë janë përcaktuar dhe miratuar vendndodhjet e Qendrave të Votimit  (QV) në 6 bashkitë dhe 10 komunat e qarkut, që ka një territor prej 766 km katrorë, u shpreh Sefa, duke shtuar se afro 290 mijë zgjedhës do të kenë në dispozicion 346 QV gjithsej, të shpërndara në të gjithë territorin e qarkut të Durrësit. Në qytetin e Durrësit janë ftuar në votime rreth 147 mijë zgjedhës, votat e të cilëve do të numërohen nga KZAZ nr. 8 në pallatin e sportit Ramazan Njala, ndërsa në palestrën e shkollës Naim Frashëri do të administrohet vota e zgjedhësve të bashkive të Sukthit dhe Manzës si dhe të komunave Ishëm, Katund  i Ri, Maminas. Në Pallatin e Kulturës së Shijakut është vendosur KZAZ nr. 10 që do të administrojë votat e zgjedhësve nga bashkia e Shijakut dhe komunat e Gjepalajt, Rrashbullit dhe Xhafzotajt, ndërsa KZAZ nr. 11 në sallën e Pallatit të Kulturës së Krujës do të numërojë votat e zgjedhësve të bashkive të Fushë Krujës dhe Krujës si dhe të komunave të Thumanës, Bubqit, Cudhisë dhe Niklës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›