E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Rama pajis me Çelësin e Tiranës edhe Erdoganin

Kryeministri turk Erdogan zhvilloi një takim kreun e socialistëve Edi Rama, njëkohësisht dhe kreu i Bashkisë së Tiranës. Kryeministri turk Erdogan, gjatë bashkëbisedimit me kreun e bashkisë së Tiranës ka vlerësuar zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, duke theksuar se Tirana po zhvillohet dita-ditës. Gjithashtu kryeministri turk Erdogan i ka uruar suksese Ramës, në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Ndërsa kreu i bashkisë së Tiranës nga ana e tij i ka dhuruar në shenjë miqësie kryeministrit turk Erdoigan, Çelësin e Tiranës. Më pas, Erdogan dhe delegacioni që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, është pritur edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi në një takim në pallatin e Brigadave. Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe vlerësoi nivelin e shkëlqyer të dialogut politik midis dy vendeve tona, që reflektohet ndër të tjera, në intensitetin e vizitave reciproke të nivelit të lartë. Turqia është një vend mik i ngushtë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, e tashmë do të jetë një partner strategjik i saj në rajon e më gjerë. Ndaj dhe forcimi e zgjerimi në vazhdimësi i marrëdhënieve me Turqinë, për të cilat ne krenohemi, përbën prioritet të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë, theksoi Presidenti Topi. Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe theksoi se kontributi i Turqisë për realizimin e këtij objektivi, ka qenë jo vetëm politik, por edhe në drejtim të reformimit e modernizimit të Forcave tona të Armatosura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›