E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inauguron rrugën që u ndërtua dy net më parë

Kryeministri Sali Berisha, me gërshërë në dorë ka mbërritur në Fier për të prerë shiritat e rrugëve të Fierit. Në axhendën e tij, Kryeministri Berisha ka pasur 10 takime dhe në të dhjeta ato ka prerë shirita inaugurimesh si rrugë, ujësjellësa, shkolla të reja e në rikonstruksion. Ndërkohë që nga të dhjetë qëndrimet e tij në disa njësi vendore të Fierit, vetëm 2 prej tyre kanë qenë me drejtues të majtë, komuna Qendër me socialistin Harrilla Mile dhe Komuna Topojë me përfaqësuesin e LSI-së, Sotir Zarka. Pyetur nga mediat lidhur me këtë përqendrim të axhendës në komuna që drejtohen nga të djathtë, përqendrim që nënkupton edhe mbështetjen e qeverisë me fonde të këtyre komunave, Kryeministri Sali Berisha është përgjigjur: "Ne po shkojmë atje ku është ndjerë dora e qeverisë. Qeveria ka ndërhyrë në përmirësimin e jetës së komunitetit në mbarë vendin pa dallim, e jo të komunarëve". Një nga vendqëndrimet ku u ndal Kryeministri Berisha, ku padyshim preu edhe shirit inaugurimi, ka qenë rruga Fier-Patos. Ndërtimi i rrugës është financim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 64 milionë lekë. Ndërtimi i kësaj rruge në gjendjen që e gjeti Kryeministri është kryer vetëm dy ditët e fundit, atëherë kur dhe u vendos përfundimisht që Berisha do të vizitonte Fierin. Përgjatë dy netëve të fundit, firma e ndërtimit ka ndërhyrë në këtë segment që sot inauguroi Berisha, duke hedhur jo vetëm shtresën e asfaltobetonit, por duke kryer edhe vijëzimin e rrugës, i cili dukej ende i njomë. Ndërkohë që nga Fieri Kryeministri ka sulmuar kreun e opozitës, për të cilin ka thënë: "Kur Edi Rama inauguron një kopsht dhe me tre topa sillet rrotull, nuk i bëhet një pyetje tjetër, nëse do qe më mirë të mos lëvizë nga dera e kopshtit. Ndërsa unë po bëj 10 inaugurime në ditë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›