E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka takon Topin: Folëm për politikë

Ministri i Shëndetësisë, i cili është edhe kryetar i PDK-së, Nard Ndoka, ka zhvilluar dje një takim me Presidentin e vendit, Bamir Topi. Takimi ka zgjatur për gati një orë dhe është zhvilluar jashtë vëmendjes së mediave. Pas takimit, Ndoka ka deklaruar para mediave se "me Presidentin Topi kam diskutuar si politikan, si mik, por edhe si qytetar disa çështje që sipas gjykimit tim janë të rëndësishme". Dera e Presidentit është e hapur për të gjithë, është shprehur Ndoka, pa njoftuar për detaje të takimit. Ministri ka shmangur të gjitha komentet rreth këtij takimi, gjë e cila është bërë edhe nga institucioni i Presidencës. I pyetur nëse ishte çështja e dekreteve të Gjykatës së Lartë një nga temat e diskutimit dhe a do të votojë grupi i PDK-së pro tyre në Kuvend, Ndoka nuk ka bërë asnjë koment, por thjesht ka falënderuar mediat për mirëkuptimin. Kohët e fundit takimet informate mes kryetarit të PDK-së dhe Presidentit Topi kanë qenë të shpeshta. Siç ishte edhe takimi i pak kohëve më parë, kur në politikën shqiptare diskutohen ndryshimet kushtetuese dhe kreu i shteti ishte shprehur kundër tyre, duke iu bashkangjitur kështu qëndrimit të një grupi deputetësh që njihen si mbështetësit e tij në Parlament. Kohët e fundit kryetari i PDK-së është ndodhur në një valë akuzash dhe sulmesh nga deputetët e grupit të tij, por edhe nga deputetë të PD-së, të cilët çdo ditë e më shumë kanë artikuluar deklarata që Ndoka nuk duhet të jetë më pjesë e kabinetit qeverisës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›