LSI-PS, "Rama" fut në sherr Priftin me Kodhelin
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se Edi Rama është nënkontraktor i qeverisë për të mbrojtur trafiqet dhe korrupsionin. Deputeti Dritan Prifti vlerësoi se kryetari i Partisë Socialiste ka pushuar së bëri opozitë. Ai kujtoi se pas padisë së Ramës, Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të ministrit Lulzim Basha për veprën penale të shpifjes, që në fillim të janarit, 09.01.2008. "Kryetarja e Kuvendit prej 6 muajsh e mban të fshehur kërkesën e Gjykatës së Lartë në Kuvend, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë", tha Rama. Prifti shprehu habi pse Rama nuk ka kërkuar që Kuvendi të procedojë për zotin Basha. "Pse trembet zoti Rama nga kjo akuzë? Pse nuk i ka kërkuar Kuvendit të merret me këtë akuzë? Kam edhe unë të drejta, si çdo shqiptar tjetër, të them që marrëveshja Rama-Berisha e ka bllokuar këtë hetim", vlerësoi Prifti. Ai bëri thirrje për dorëheqjen e kryeparlamentares Topalli, ndërsa tha se LSI do t‘i bashkohet çdo lloj kërkese për të larguar një njeri që shpërdoron detyrën në atë drejtim. I menjëhershëm ishte reagimi i socialistëve përmes Mimi Kodhelit. "Deklarata e sotme e grupimit të Ilir Metës është po aq e turpshme sa deklaratat e Lulzim Bashës, që në Gjykatën e Lartë rezultuan shpifje. Shpifje për të cilat kjo gjykatë ka kërkuar dhe imunitetin e ministrit", u shpreh Kodheli. Sipas saj, Edi Rama pa dyshim do t‘i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe e fton Ilir Metën të kontribuojë për heqjen e imunitetit të Bashës, e jo të rrëshqasë në batakun e politikës së vjetër. "Miku ynë Ilir Meta duhet të kuptojë së politika e shpifjeve nuk bind më as ata që flasin në emër të tij", theksoi zëdhënësja e kryesisë së PS-së.