Berisha inspekton Tregun Çam: “Do tia vëmë Ramës kufirin te thana përsa i përket çmimit të taksave”
Kryeministri Sali Berisha i ka çuditur tregtarët dhe klientët në Tregun Çam në kryeqytet, kur ka hyrë atje më këmbë, në një vizitë krejt të papritur. Berisha, duke ecur më këmbë në rrugicat e tregut çam, është takuar me tregtarët, duke hyrë dyqan më dyqan. Ndërkohë, disa qindra njerëz janë mbledhur teksa kanë parë që kryeministri ka hyrë në Tregun Çam. Kryeministri ka folur me tregtarët, të cilët i kanë treguar gjerësisht problemet me të cilat përballen. Pjesa më e madhe e tregtarëve, që i përkasin biznesit të vogël dhe të mesëm, u ankuan për rritje masive taksash nga Bashkia e Tiranës. “Unë ju siguroj se në mandatin e dytë, kryetarit të Bashkisë së Tiranës do t’ia vëmë kufirin te thana dhe nuk do të lejojmë që të dëmtohet biznesi”, - është shprehur Berisha në takimet me tregtarët. Ai theksoi se biznesi i vogël dhe ai i mesëm janë shumë të rëndësishëm për punësimin e shqiptarëve, ndaj shtoi se nuk do të lejojë që ato të rrezikohen duke sjellë pasoja sociale në vend. Në vizitën te Tregu Çam, Berisha shoqërohej nga Gerti Bogdani, kryetar i FRPD dhe njëkohësisht kandidat për deputet në zonën e Tregut Çam në Tiranë.
3 Qershor 2009